Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar situatën në lidhje me mospërputhjen e numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje dhe numrit të votave të fituara nga partitë politike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ka pasur mospërputhje të votave të subjekteve politike.
Elezi sqaroi se pse KQZ-së i kanë dalë më shumë se 33 mijë vota.
Ai tha se në ueb faqen e KQZ-së numri i pjesëmarrjes është i ngarkuar për rreth 800 mijë votues, ndërsa te rezultatet preliminare nëse mblidhet rezultati i të gjitha partive politike del që numri i votave është rreth 831 mijë.
“Arsyeja se pse subjektet politike deri në përditësimin e fundit kanë më shumë se 30 mijë vota në krahasim me të dhënat, me numrin e përgjithshëm të pjesëmarrjes së votuesve në votime është se te të dhënat për pjesëmarrje në votime janë të përfshirë shifrat apo të dhënat nga 92.10 për qind e vendvotimeve. Më konkretisht, nga 2 mijë e 333 sosh.
Ndërkaq, te të dhënat për rezultatet preliminare të subjekteve politike janë të përfshirë të dhënat të cilat kanë ardhur nga më shumë se 99 për qind e vendvotimeve apo nga 2 mijë e 522 të tilla. Pra, të dhënat për subjektet politike përfshihen rezultat nga 189 vendvotime më shumë në krahasim me të dhënat, të cilat janë paraqitur te pjesëmarrja e votuesve në votime”, tha Elezi për KP.