Fushata për Zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025 në Kosovë po karakterizohet nga një diskurs i ashpër mes burrave – kandidatë për Kryeministër të ardhshëm të vendit, për sa kohë që asnjëra nga partitë dhe koalicionet që janë në garë për pushtet nuk ia kanë besuar ndonjë gruaje që të jetë bartëse e listës zgjedhore.Me gjithë zotimet e herëpashershme të politikanëve për garantim të barazisë gjinore, listat zgjedhore mbeten të dominuara nga burrat.
Subjektet politike janë kujdesur që të paktën të respektojnë kuotën prej 30% për përfaqësim të grave, ndonëse Ligji për Barazi gjinore e përcakton se barazia është 50/50.Respektimin e barazisë gjinore e kanë kërkuar disa prej organizatave të Shoqërisë civile përmes një njoftimi, ku janë specifikuar aspektet e të drejtave dhe fuqizimit të grave jo vetëm në lista zgjedhore, por edhe në procese të rëndësishme politike.
“Ne kërkojmë që gratë jo vetëm të përfshihen, por edhe të mbështeten në rolet drejtuese brenda strukturave politike dhe pas zgjedhjes së Qeverisë së ardhshme të Kosovës – duke përfshirë edhe procesin e Dialogut me Serbinë në bazë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë.” – thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave të Kosovës, më 22.11.2024.Numrin më të madh të kandidateve gra në listat për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Partia që ka qeverisur në vend në katër vjetët e fundit i ka përfshirë 41 gra në listën e kandidatëve për deputetë.E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 38 gra në listë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka 36 kandidate, Lidhja Demokratike e Kosovës 38 dhe Koalicioni për Familjen i ka 23 gra në listë për deputete të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Me 16 janar 2024, Avokati i Popullit kishte dorëzuar Kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Nenit 28 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili e përcakton kuotën gjinore, me pretendimin se ky Nen është në kundërshtim me disa Nene kushtetuese, të cilat e përcaktojnë barazinë para ligjit, vlerat dhe të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Por, më 27 dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Neni 28 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 28, Paragrafi 1, e përcakton se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë% janë meshkuj dhe së paku tridhjetë% janë femra me nga një kandidat të secilës gjini – përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.
Fuqizimi i grave dhe pjesëmarrja e tyre në aktivitete politike Megjithëse përfaqësimi i grave nuk mungon, por jo në masën që e përcakton Ligji për Barazi Gjinore, nga një analizë e Programeve të partive politike në Kosovë të cilën e ka bërë Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA del se partitë politike ende nuk e kanë barazinë gjinore si prioritet të integruar.
“Përkundër faktit që barazia gjinore dhe fuqizimi i grave janë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, partitë kryesore politike vazhdojnë të trajtojnë këtë çështje në mënyrë sipërfaqësore ose tërësisht të shpërfillur.” – thuhet në njoftimin e tyre.Organizata QIKA, e cila si nismë erdhi si revoltë ndaj shtypjes që përjetojnë gratë në familje, punë, rrugë e institucione, tregon edhe për Programet e partive politike dhe sa herë është përmend “barazia gjinore”.
Sipas QIKA-s, LDK përmend barazinë gjinore vetëm katër herë në Programin prej 248 faqesh – duke përfshirë një referencë të vetme ndaj feminizmit. AAK dhe Nisma theksojnë njëherë “barazinë dhe drejtësinë gjinore”, ndërsa PDK dhe LVV nuk e përmendin fare këtë çështje në Programet e tyre.“Kjo tregon se partitë politike në Kosovë nuk e shohin barazinë gjinore si një parim qendror të politikave të tyre, por si një çështje dytësore, shpesh të instrumentalizuar për qëllime elektorale. Pa një angazhim të qartë dhe të strukturuar programatik që thirret në barazi gjinore, si një parim kushtetues, nuk mund të pritet që politikat publike të reflektojnë nevojat dhe përvojat e grave në mënyrë të drejtë dhe efektive.” – thuhet në njoftimin e QIKA-s.
Përballja e grave me gjuhën e urrejtjesNdërkohë, Demokracia në Veprim në një Raport të publikuar më 1 shkurt 2025 flet për gjuhën e urrejtjes me të cilën po përballen gratë në Zgjedhjet parlamentare të këtij viti.“Gratë që kandidojnë për Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 84,813 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje.” – thuhet në njoftimin e DnV-së.Përveç gjuhës së urrejtjes, DnV ka vlerësuar edhe pjesëmarrjen e grave në aktivitete politike.“Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në mbi gjysmën e aktiviteteve (54%) është shënuar pjesëmarrje minimale – vetëm në deri 10% e grave. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, në mesin e mijëra folësve, gratë përbëjnë vetë 29% prej tyre.” – thuhet në Raportin e Demokracisë në Veprim.
Gratë rezulton se nuk kanë prezencë të lartë as në media.“Nga 905 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 15% prej tyre ka pasur gra. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë, në krahasim me burrat. Vetëm 46 minuta apo 12% e hapësirës televizive u është dhënë grave. Edhe sa i përket pjesëmarrjes në debate televizive, 23% kanë qenë gra.” – thuhet në njoftimin e DnV-së.Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.