Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se do të ketë protesta dhe greva në rast se Qeveria e ardhshme nuk merr parasysh kërkesat që punëtorët e sektorit privat të kenë paga më të larta.
Azemi ka thënë se kërkesat e tyre janë që punëtorët e kompanive private që punojnë në institucionet shtetërore dhe komunale të trajtohen barabartë sikur punëtorët që marrin paga nga shteti.
“Ne i gëzohemi rritjes së pagave në sektorin publik, por duhet të kemi parasysh edhe punëtorët e kompanive private që punojnë për shtetin. Ata kryejnë të njëjtën punë në të njëjtën hapësirë dhe nuk mund të trajtohen ndryshe vetëm pse pagat e tyre kalojnë përmes një kompanie private”, deklaroi Azemi në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën.
Sipas tij, protestat dhe grevat ishin planifikuar të fillonin që në ditët e para të kësaj jave, por për shkak të zgjedhjeve janë shtyrë për një moment tjetër.
“Nuk ka rëndësi kush vjen në krye të Qeverisë, por duhet ta dinë se kërkesat tona do të jenë shumë këmbëngulëse. Nuk dëshirojmë të vijmë në pikën e paralizimit të institucioneve, por nëse nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, ne kemi në tavolinë të gjitha opsionet”, paralajmëroi Azemi.
Azemi theksoi se sektori privat përbën pjesën më të madhe të forcës punëtore në Kosovë, me rreth 270 mijë punëtorë, dhe është kontribuuesi kryesor në ekonomi. Megjithatë, ai kritikoi faktin se kur shteti rrit pagat, punëtorët e sektorit privat nuk përfitojnë aspak.
Lideri i sindikatës po ashtu ngriti shqetësime për moszbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale prej 350 eurosh.
“Në mbi 95% të rasteve ku punëtorët kishin pagë më të ulët se 350 euro, situata nuk ka ndryshuar. Madje, kemi raste në qendër të Prishtinës ku pagat janë ende 230 euro, dhe kjo nga vetë shteti. Neve nuk mund të na gënjejnë”, ka thënë ai.
Azemi u shpreh se protestat dhe grevat pritet në mars nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.