Proton Cable Prizreni dhe Vëllaznimi kanë shënuar fitore në kuadër të Javës së njëzet të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen e zhvilluar në Prizren, Proton Cable Prizreni e ka mposhtur Borën me rezultat 101:82.
Vendasit e kanë nisur mirë takimin, duke fituar çerekun e parë 30:16, ndërsa mysafirët reaguan në të dytin, duke ngushtuar disavantazhin dhe duke shkuar në pushim me shifrat 57:47. Prishtinasit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë, duke e ngushtuar rezultatin në 76:71, por në dhjetë minutat e fundit vendasit kanë dominuar plotësisht për të siguruar fitoren me nëntëmbëdhjetë pikë epërsi.
Te Proton Cable Prizreni janë dalluar Jordan Johnson me tridhjetë e një pikë e pesë kërcime dhe Tervell Beck me tridhjetë pikë e dymbëdhjetë kërcime. Nga ana tjetër, te Bora më efikasët kanë qenë Desmond Cambridge Jr dhe Jetmir Zeqiri me nga shtatëmbëdhjetë pikë secili.
Ndërkohë, në Gjakovë, Vëllaznimi ka triumfuar bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 92:70.
“Kuqezinjtë” e kanë nisur më mirë, duke e fituar çerekun e parë 17:12, por mysafirët kanë reaguar në të dytin, duke barazuar rezultatin në 33:33 para pushimit. Në periodën e tretë, vendasit kanë marrë epërsinë sërish (59:53), ndërsa në dhjetë minutat e fundit kanë shkëlqyer, duke fituar çerekun 33:17 dhe siguruar një fitore të thellë.
Te Vëllaznimi katër lojtarë kanë pasur paraqitje dyshifrore: Jericole Hellems dhe Arian Azemi me nga njëzet e katër pikë secili, Trey Anderson me katërmbëdhjetë pikë e dymbëdhjetë kërcime dhe Jason Jitoboh me katërmbëdhjetë pikë e nëntë kërcime. Në anën tjetër, më të mirët te Golden Eagle Ylli kanë qenë Jan Palokaj me tetëmbëdhjetë pikë e gjashtë kërcime dhe William Tavares me gjashtëmbëdhjetë pikë./RTK/