Policia ka njoftuar se tashmë se zjarri në qendrën tregtare ETC në Suharekë është nën kontrollë të plotë.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi ka thënë për KALLXO.com se ka ende zjarre të vogla që kohë pas kohe po shpërthejnë por që në vendin e ngjarjes vazhdojnë të qëndrojnë njësitë e zjarrëfikësve.
“Ata po qëndrojnë në vendin e ngjarjes pasi që ka zjarre të vogla që po shpërthejnë në qendrën tregtare ETC si dhe për shkak se në afërsi gjendet edhe një tjetër qendër tregtare dhe një restauran”- tha Gashi për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi se edhe njësitet policore vazhdimisht po qëndrojnë në vend ngjarje pas informacioneve që morën në orët e mëngjesit për zjarrin që kaploi ETC në Suharekë.
“Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet edhe ato ligjore në lidhje me këtë rast”- tha Gashi.
Deri më tani nga hetimet preliminare nuk ka ende diçka e cila mund të konstatoj se cka shkaktoi zjarrin.
KALLXO.com raportoi se për këtë zjarr në ETC në Suharekë reagoi edhe drejtuesi i kompanisë Elkos, Ramiz Kelmendi.
Ai në reagimin e tij tha se nuk ka ndonjë person të lënduar deri sa për dëmet ka thënë se janë deri në 3 milionë euro./Kallxo.com/