Gjatë njëmbëdhjetë muajve, pronari i biznesit dhe djemtë e tij thuhet se kanë ndihmuar në pastrimin e më shumë se shtatë milionë frangave zvicerane
Policia ka vëzhgonte për një kohë të gjatë vizitat e përditshme të korrierëve të drogës në agjencinë turistike në Lucern, pronë e një familjeje shqiptare nga Kosova. Në pak më pak se një vit, ajo ka regjistruar mbi 750 vizita në zyrë nga korrierë të dyshuar. Prokuroria Federale po heton të paktën gjashtë persona të përfshirë në grupin e bazuar në strukturat klanore.
Pastaj ka ndodhur operacioni i policisë që bëri bujë, në këtë ambient biznesi në mes të Lucernit shtatorin e kaluar, shkruan gazeta Tages Anzeiger në një artikull të zgjeruar rreth rastit të rëndë, në Lucern.
Hulumtimet tregojnë se objektivi i bastisjes së urdhëruar nga Prokuroria Federale ishte mafia e drogës kosovaro-shqiptare, transmeton albinfo.ch. Biznesi në një rrugë shumë të frekuentuar në Lucern – një agjenci udhëtimesh e specializuar në udhëtimet në Ballkan – dyshohet se ka shërbyer për vite si një pikë transporti për miliona franga zvicerane nga tregtia e drogës. Ndër të arrestuarit në shtator është pronari kosovar i agjencisë së udhëtimeve, dy djemtë e tij dhe një punonjëse me përvojë të gjatë.
Policia e kishte në sy agjencinë e udhëtimeve të paktën që nga viti 2022.
Vetëm midis marsit 2022 dhe shkurtit 2023, hetuesit kanë vëzhguar korrierë të dyshuar droge dhe parash që hynin në agjencinë e udhëtimit mbi 750 herë – që i bie mbi tri vizita në ditë pune. Gjatë këtyre njëmbëdhjetë muajve, pronari i biznesit dhe djemtë e tij thuhet se kanë ndihmuar në pastrimin e më shumë se shtatë milionë frangave zvicerane. Ata pranonin para dhe organizonin transporte cash në Shqipëri ose transferta në të ashtuquajturin sistem Hawala, një sistem i pavarur nga bankat për dërgimin e parave në nivel ndërkombëtar.
Babai dhe dy djemtë zotërojnë edhe kompani të tjera në Zvicër. Midis tyre është një që, sipas regjistrit tregtar, ofron “shërbime në fushën e transfertave globale të parave të gatshme”.
Agjencia turistike e Lucernit luante një rol qendror në rrjetin e drogës. Deri më sot, më shumë se 40 korrierë droge janë arrestuar në të gjithë Zvicrën me dyshimin se janë përfshirë në dorëzim parash në këtë agjenci të udhëtimit, transmeton albinfo.ch. Në majin e kaluar, njëri prej tyre u dënua nga Gjykata Penale e Luzernit me nëntë vite burg dhe më pas me dëbim nga vendi.
Informacioni mbi hetimet vjen nga një vendim i Gjykatës Penale Federale të publikuar të enjten. Dokumenti prej 20 faqesh ofron një vështrim të rrallë dhe të thellë mbi aktivitetet e krimit të organizuar në Zvicër.
Strukturat klanore: “Ne nuk mund të arrestohemi kurrë nga policia”
Sipas dokumentit në fjalë, rrjeti i drogës në thelb kontrollohej nga mbështetës në Kosovë dhe Shqipëri. Në Zvicër, një burrë kishte rolin udhëheqës, i cili gjithashtu u arrestua në shtator. Në këtë tekst ai quhet Tarik Berisha. Ai padyshim ndihej i paprekshëm. Në një bisedë të regjistruar nga policia në janar 2023, ai i kishte thënë djalit të pronarit të agjencisë turistike: “Ne nuk mund të arrestohemi kurrë nga policia, sepse nuk lëmë gjurmë”.
Hetuesit supozojnë se fjala është për struktura klanore. Pjesëmarrësit në rrjetin e drogës ishin “të lidhur përmes biznesit, miqësisë dhe/ose familjes” dhe mbështeteshin në “besnikëri reciproke”, shkruan gjykata, përcjell albinmfo.ch. Si shembull i marrëdhënieve të ngushta, përmendet një tjetër deklaratë e përgjuar e Tarik Berishës: “Janë të gjithë njerëzit tanë. Edhe atë që ka ardhur, e kam rritur që fëmijë”.
Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me vetë çështjen, por me paraburgimin e një personi tjetër që u arrestua në shtator. Ky person, një shtetas i dyfishtë i Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, akuzohet se është një nga korrierët e parave të mafies së drogës. Ai i rezistoi paraburgimit pa sukses.
Hetuesit e akuzojnë se ai kishte vepruar si shofer për llogari të Tarik Berishës, se kishte mbledhur para nga pika të ndryshme të drogës, se kishte vizituar disa herë agjencinë turistike në Lucern dhe se kishte transferuar para prej andej në Kosovë.
Provat përfshijnë biseda të regjistruara për “transfertat e parave, mbledhjen e parave, shumat e munguara në zarfet e transportit dhe udhëtimet në aeroport”. Ndërmjet marsit 2022 dhe shkurtit 2023, policia ka regjistruar 16 vizita të tij në agjencinë e udhëtimit. Makina e numërimit të parave është përdorur të paktën gjashtë herë.
Përveç kësaj, ai akuzohet se ka lëshuar vazhdimisht fatura fiktive përmes kompanisë së tij për të pastruar fonde të tjera. Në një bisedë të përgjuar nga marsi i vitit 2022, ai deklaronte: “Ne i pastrojmë paratë për të. Unë bëj faturat, ai më kalon paratë në llogarinë time dhe unë ia jap me para në dorë. Pa interes (kamatë) nuk ka asgjë. Kur u mor në pyetje nga policia, ai u përpoq të minimizonte këtë deklaratë: “Për shkak se kam një kompani pastrimi, njerëzit mendojnë se unë pastroj para”.
I dyshuari për pastrim parash i kishte shpëtuar arrestimit në dhjetor të vitit 2021. Në atë kohë, policia kishte kapur një korrier droge, kur pastruesi në fjalë i parave me sa duket ishte afër, transmeton albinfo.ch. Më pas ai qe larguar nga vendi i krimit “me shpejtësi të madhe”, shkruan gjykata. Pas kësaj ai u bë më i kujdesshëm. Në një tjetër bisedë të përgjuar nga qershori i vitit 2022, ai ka thënë se e kishte “ndërprerë” punën me Tarik Berishën. Arsyeja: “Filluan të bënin shumë zhurmë. I kapën të gjithë. (…) Unë isha shumë me fat që nuk isha atje”. Në vitin 2024, ai ka dërguar disa herë vëllain e të dashurës në agjencinë e udhëtimeve për të dorëzuar disa qindra mijëra franga.
I dyshuari për pastrim parash pranon pjesërisht veprën
Agjencia e udhëtimit ishte e mbyllur kur e ka vizituar gazeta këtë javë. Pas disa tentativave për të telefonuar numra të ndryshëm, një person u përgjigj dhe tha se pronari dhe djemtë e tij nuk ishin të disponueshëm. Një email në adresën e biznesit mbeti pa përgjigje.
Avokati i të dyshuarit për pastrim parash është shürehur se klienti i tij nuk dëshiron të flasë për mediat për momentin. Sipas vendimit të gjykatës, pas disa intervistave, ai “nuk e mohon më dyshimin e fortë për faj”. Ai ka pranuar, për shembull, se “kishte mbledhur para për Tarik Berishën dhe i kishte sjellë në agjencinë e udhëtimit”. Megjithatë, sipas tij, ai nuk dinte asgjë për origjinën e fondeve.
Pas arrestimeve në shtator, Prokuroria Federale ka kërkuar paraburgim për të gjashtë personat e përmendur. I pyetur rreth çështjes, një zëdhënës nuk bëri të ditur se sa njerëz janë aktualisht ende në paraburgim, përcjell albinfo.ch. Ai konfirmon procedimin në vazhdim për dyshimin për përfshirje ose mbështetje të një organizate kriminale, pastrim të rëndë parash dhe shkelje të rëndë të Ligjit për Narkotikët. Prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë personat e përfshirë.