Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, është shprehur krenarë dhe mirënjohës për kontributin e 1247 grave dhe vajzave të guximshme, të cilat sipas tij vendosën standarte të barazisë dhe fuqizuan Policinë e Kosovës. Këto deklarata të ministrit erdhën në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si “Viti i Grave” nga Kryeministri Albin Kurti.
“Sot Kryeministri Kurti shpalli vitin 2025 si Vitin e Grave. Kosova sot ka kufij të mbrojtur, rend e ligj kudo. Në këtë arritje të madhe demokratike kanë kontribut të çmuar 1247 gra e vajza të guximshme, police të Republikës, prej tyre 4 kolonele, 3 nënkolonele, 8 majore, 15 kapitene, 27 togere, 95 rreshtere, 746 police të larta dhe 251 police të reja. Nga këto 8 janë në njësitë speciale dhe 12 janë zyrtare patrulluese të kufirit. Si Ministër i Punëve të Brendshme shpreh mirënjohjen më të thellë dhe krenarinë për ju, gra e vajza të guximshme dhe vetëmohuese, që me vendosmëri e profesionalizëm, keni vendosur standarte të barazisë dhe e fuqizuat Policinë tonë.”, shkruan Sveçla.
Ministri është shprehur tutje se të gjitha policet e Republikës së Kosovës janë shembulli më emblematik për gjeneratat e ardhshme se si vajzat dhe gratë e kryejnë detyrën për mbrojtjen e atdheut.
Nga policet e patrullës e punës në komunitet, tek ato në hetime e në mbrojte të kufirit, e deri tek pjesëtaret e njësive speciale jeni shembulli me emblematik se si vajzat e gratë e kryejnë detyrën për atdheun. Ju jeni ura që lidh besimin e sigurinë mes policisë dhe qytetarëve. Ju e keni hapur me kurajo një rrugë për gjeneratat e ardhshme të vajzave e grave, duke u bërë shembull i guximit, i përpjekjes për barazi, përkushtimit e profesionalizimit. Ju jeni ato që po qëndroni në vijën e parë të frontit, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit, në mbrojtje të atdheut. Na bëni të gjithëve krenarë ndaj ju detyrohemi të gjithë tepër shumë.”, ka shkruar tutje ministri.
Në fund, ministri Sveçla ka shprehur mbështetjen e tij në avancimin e pozitës së vajzave brenda organizatës policore, teksa ka ftuar vajzat e tjera që t’i bashkohen radhëve të Policisë.
“Andaj dua të zotohem publikisht që do të mbështes me çdo kapacitet që me jep ligji Policet tona. Gjej rastin të ftoj vajzat që t’i bashkohen radhëve të Policisë. E ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah jush, krenarë për shërbimin tuaj, të frymëzuar nga sakrificat e guximi juaj e të përkushtuar për t’ju mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke fuqizuar e avancuar dhe me tej pozitën tuaj brenda organizatës policore.”, ka theksuar në fund Sveçla./TVPrizreni/