Kandidatja për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka deklaruar se ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të pësojë humbje drastike në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Gërvalla ka deklaruar në KTV se LDK-ja ka tradhtuar disa herë votuesit dhe ka shkelur pikat që vetë i ka vendosur.
“Ne s’kemi qenë turistë në LDK, kemi qenë për një kohë të gjatë. Përpjekjet tona s’kanë qenë të reja për demokratizimin e LDK-së dhe tendencat për kapjen e saj janë të hershme. Kjo kryesi që sot është në LDK, e dinë shumë mirë se çfarë LDK-je do qytetari. LDK-ja për një kohë të gjatë e ka përgatitur kohën për të marrë ditën e diel dënimin e merituar”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo tutje ka përmendur se “Lista Vjosa” është e orientimit të qendrës së djathtë.