Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-Vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 euro, për të gjithë fëmijët deri në 16 vjeç dhe pensionistët.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se do të jenë rreth 700 mijë përfitues të këtyre shtesave.
Murati sqaroi në lidhje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera, përveç skemës së pensionit të moshës.
Ai tha se të gjitha skemat janë të përfshira – edhe kategoritë e luftës, edhe kategoritë e aftësive të kufizuara.
“I vetmi kusht është që nuk mund të përfitojë dikush, nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë. Nuk mund të përfitojë dy herë. Kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj.” – tha ai.
Murati tha se shtesat dhe pagat e sektorit publik pritet të dalin gjatë ditës.
Pasi ditë më parë njoftoi së bashku me kryeministrin Kurti se do t’i ndajnë nga 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç e pensionistët, ministri Murati ka ndarë një mundësi për ata që s’duan të përfitojnë nga kjo shtesë.
Murati kishte ndarë një link përmes së cilit – sipas tij – qytetarët të cilët nuk kanë nevojë për shtesat e Qeverisë, mund të tërhiqen duke e plotësuar një Formular.
Ndaj këtij vendimi kishin reaguar partitë opozitare – duke e quajtur këtë ndihmë si “lëmoshë” dhe “për fushatë zgjedhore”.
Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti edhe vitin e kaluar, pothuajse në të njëjtën kohë, kishte ndarë mjete për fëmijët, pensionistët e nënat-lehona.