Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka thënë se ankesat ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në krahasim me vitin paraprak janë rritur për 20 për qind.
Në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, Hodaj ka thënë se gjatë vitit 2024, IPK ka trajtuar rreth 1 mijë e 900 ankesa të qytetarëve ndaj zyrtarëve të Policisë.
“Kemi rritje të numrit të ankesave mbi 20 për qind në raport me ankesat që janë trajtuar vitin e kaluar. Deri më tani prej janarit kemi pranuar rreth 1 mijë e 900 ankesa dhe jemi në trendin që deri në fund të vitit të kalojë numrin 2 mijë ankesa të qytetarëve ndaj punës së Policisë.”, ka theksuar ai.Hodaj ka folur edhe për ankesat e qytetarëve ndaj policëve që shërbejnë në veri të Kosovës, pjesë e banuar kryesisht me qytetarë serbë. Ai ka treguar nëse ankesat e tyre kanë qenë të bazuara apo kanë qenë të ndikuara politikisht.
Në këtë intervistë Hodaj ka folur edhe për veprat në të cilat janë implikuar këtë vit policët.
Cilat janë mangësitë në punën e Policisë, a zbatohen rekomandimet nga PK-ja, a ka armiqësi mes këtyre dy institucioneve, anulimin e konkursit për gradim, shtimin e numrit të hetuesve të IPK, të gjitha këto përgjigje mund t’i ndiqni në intervistën e plotë.
Reporteri.net: Është fundit i vitit dhe sigurisht se keni bërë një analizë të punës. Sa raste ka hetuar këtë vit Inspektorati Policor i Kosovës?
Hodaj: IPK ka vazhduar edhe këtë vit që të trajtojë të gjitha ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve që kanë të bëjnë me punën e policisë. Kemi rritje të numrit të ankesave mbi 20 për qind në raport me ankesat që janë trajtuar vitin e kaluar. Deri më tani prej janarit kemi pranuar rreth 1 mijë e 900 ankesa dhe jemi në trendin që deri në fund të vitit të kalojë numrin 2 mijë ankesa të qytetarëve ndaj punës së Policisë.
Reporteri.net: A janë të gjitha ankesat që i pranoni, ankesa që duhet t’i trajtoni ju?
Hodaj: Në bazë të autorizimeve ligjore që i kemi, kemi autoritet t’i pranojmë, t’i analizojmë dhe t’i trajtojmë të gjitha ankesat e qytetarëve, pastaj kemi proces të vlerësimit dhe analizimit nëse ato kanë elemente të veprës penale për t’u trajtuar dhe hetuar nga IPK-ja si dyshime për veprimtari penale apo për një kategori të shkeljeve administrative të cilat Ligji na jep autoritet që përveç hetimeve penale t’i trajtojmë edhe disa kategori të shkeljeve administrative që lidhen kryesisht me incidente të profilit të lartë apo raste kur të dyshuar janë zyrtarë apo eprorë të nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës. Ne e bëjmë këtë proces të analizimit dhe të vlerësimit dhe në rastin kur ne gjejmë se ka dyshime për këtë vepra që bëjnë në kompetencën tonë ligjore I trajtojmë Brenda IPK-së ndërsa për të tjerat që janë shkelje administrative, disiplinore, të profileve që Policia e Kosovës është kompetente I kthejmë në Polici dhe është departamenti përgjegjës Brenda policisë për t’i trajtuar në aspektin administrativ apo disiplinor. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ankesave nuk përmbajnë elemente për t’u trajtuar në IPK dhe kthehet në kompetencën e Policisë së Kosovës. Mirëpo hapi i parë i vlerësimit dhe analizimit gjithmonë bëhet në IPK.
Reporteri.net: Sigurisht e keni analizuar natyrën e raste. Çfarë vepra penale kryejnë policët?
Hodaj: Janë disa vepra që janë më tipike për punën e Policisë që lidhen kryesisht me tejkalimin e autorizimeve policore, me keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, me përdorimin e forcës, përdorimin joproporcional apo adekuat të forcës dhe mjeteve të forcës që ata kanë në posedim, rastet që lidhen me keqpërdorim të detyrës, me ryshfetin, pastaj përfshirjen e zyrtarëve policor në aksidente të trafikut dhe shkaktim të lëndimeve ndaj qytetarëve si dhe ankesa që lidhen kryesisht me kundërvajtje në trafik apo pakënaqësitë që kanë përgjithësisht qytetarët për mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit të zyrtarëve policor në raste kur ata kanë kontakt me qytetarët.
Repiorteri.net: z.Hodaj veriu i Kosovës shpesh gjatë viteve të fundit ka qenë vatër e nxehtë dhe koncentrimi i Policisë, kryesisht njësive elite ka qenë më i madh në atë pjesë. A keni hetuar shumë raste dhe a kanë qenë të bazuara apo të motivuara politikisht?
Hodaj: Inspektorati trajton ankesat e të gjithë qytetarëve dhe etnive pa dalim në të gjithë Kosovën. Kemi pasur ankesa që I kemi pranuar edhe në pjesën veriore. Nuk ka ndonjë trend rritës apo numër që është ndryshe prej qendrave të tjera rajonale. Sigurisht specifikat e sigurisë I bëjnë rastet në veri më ndjeshme dhe që duhet ta kemi edhe në një vëmendje më të madhe. Ne i kemi trajtuar të gjitha ankesat që kanë bërë në atë pjesë për zyrtarët policor. Gjithashtu kemi iniciuar shumë raste ex-oficio apo sipas detyrës zyrtare në bazë të publikimeve në media apo në bazë të deklarimeve të qytetarëve edhe kur ata drejtpërdrejt nuk i kanë drejtuar IPK-së. Në të gjitha rastet kur kemi gjetur se janë tejkaluar autorizimet ne kemi marrë masa dhe sigurisht janë një numër I ankesave të cilat janë të pabaza dhe nuk kemi arritur që t’i dëshmojmë pretendimet e qytetarëve. Por, nuk është ndonjë numër alarmant në raport me shifrat që kemi në rajonet e tjera të Kosovës.
Reporteri.net: Cila është marrëdhënia Polici-Inspektorat. A ka armiqësi me jush?
Hodaj: Nuk ka absolutisht armiqësi. Ne jemi në funksionet tona dhe mandatet tona që na përcaktojnë ligjet, përkatësisht Ligji për IPK-në dhe Ligji për Policinë. Ligji për IPK-në ka paraparë që ne të kemi autoritet të hetojmë një kategori të veorave penale në të cilat janë të dyshuar zyrtarët policor apo mund të jenë të dyshuar edhe qytetarë të ndërlidhur bashkë me zyrtarë policor dhe ato kategori bashke me shkeljet administrative që ligji na jep autoritet. Pastaj kemi aspektin tjetër të inspektimeve ku ne kemi autoritet të inspektojmë mënyrën e kryerjes së detyrave, të masim nivelin e performancës dhe të krahasojmë a janë veprimet policore në harmoni me ligjet dhe udhëzimet administrative. Në kuadër të këtyre proceseve ne nxjerrim edhe raporte, të gjetura dhe rekomandime. Këto rekomandime pastaj kalojnë në proces të përmbushjes nga ana e Policisë, për çka ne jemi të kënaqur sepse ka një rritje nivelit të përmbushjes së tyre. Dy herë në vit parashihet që ministri, drejtori i Policisë dhe kryeshefi ekzekutiv të diskutojnë enkas për nivelin e përmbushjes së rekomandimeve nga ana e Policisë dhe këtë vit kemi filluar ta praktikojmë këtë obligjim ligjor që e kemi të tri institucionet dhe kjo ka pasur efekt që ët rritet niveli i zbatimit të rekomandimeve të IPK-së. Konsideroj se është një që shumë e mirë për shkak se vihet në pah roli pro aktiv i IPK-së dhe Policisë për të parandaluar pastaj sjelljet e këqija apo shkeljet ligjore që mund të bëjnë zyrtarët policor. Rekomandimet që jepen për efekt të hetimeve penale, për të cilat ne kemi dyshime që I zhvillojmë me autorizim të Prokurorit, që janë vendime për suspendim dhe transfer të zyrtarëve policor ato zbatohen në masën e qindtë përqindtë. Të gjitha rastet që ne i kemi rekomanduar Policia e Kosovës menjëherë I ka zbatuar ato rekomandime, në mënyrë që ne t’i zhvillojmë hetimet pastaj pa pasur frikën që qëndrimi i zyrtarit të dyshuar në atë pozitë mund të ndikojë në hetim.
Reporteri.net: A keni bërë ndonjë analizë të hetimeve tuaja. Kush janë kryesisht shkelësit e ligjit? A janë zyrtarët e thjeshtë apo janë më tepër eprorët e tyre. A guxon IPK-ja ta trajtojë secilin zyrtarë policor, pavarësisht gradës?
Hodaj: IPK-ja ka autoritet që t’i hetojë të gjithë pjesëtarët e Policisë pa asnjë dallim, përfshirë edhe drejtorin e Policisë në të gjitha rastet që ne kemi dyshime se ka përfshirje në cfarëdo shkelje, IPK sigurisht që guxon dhe I trajton të gjitha shkeljet. Në të gjitha rastet ne duhet të kemi informacione, duhet të kemi dyshim të arsyeshëm dhe të bazuar për të proceduar pastaj me veprime dhe masa të tjera. Për natyrën e shkeljes dhe nivelin e zyrtarëve që përfshihen, kjo varion varësisht prej llojit të shkelës, varësisht prej pozicionit të detyrës. P.sh Ne kemi pasur në tri ose katër rastet e fundit operacione të mëdha që lidhen kryesisht me luftën kundër korrupsionit apo marrjes së ryshfetit që kanë të bëjnë me policë të trafikut dhe të kufirit. Këto janë elemente që marrja e ryshfetit në mënyrë të drejtpërdrejt prej anës së policëve nga qytetarët kryesisht është evidente në njësitë e trafikut dhe policinë kufitare. Ndoshta kjo ndodhë kështu në ët gjitha policitë, mirëpo në tri apo katër vitet e fundit ne kemi pasur operacione të suksesshme që I kemi ndërmarrë në këtë drejtim.
Reporteri.net: Pikërisht të çështja e Policisë Kufitare dhe përfshirja e tyre në këto vepra. Së fundmi IPK ka bërë një hetim ku del një gjetje shumë shqetësuese se ata nuk I kanë përdour fare pak ose aspak kamerat në trup të cilat qe disa muaj po përdoren nga Policia. A është ky një tregues së ata sërish mund të jenë përfshir në vepra korruptive? A sheh vend për një operacion tjetër të madh si Pika 1 dhe Pika 2 ku u arrestuan dhjetëra zyrtarë të Policisë kufitare?