Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë të njëhershme për pensionistët dhe po ashtu nga 100 euro shtesë për gjithë fëmijët të moshave nga 0 deri 16 vjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se po ndahen këto shtesa pas performancës së mirë ekonomike.
“Ndonëse sot është dita më e shkurtër e vitit, pikërisht sot do ta bëjmë zgjatjen e dorës së shtetit”, ka thënë Kurti.
E ministri Murati tha do të mundohen t’i ekzekutojnë javën e ardhshme mjetet.
“Sikurse vitin e kaluar s’ka nevojë për ndonjë aplikim. I kemi listat e përfituesve në data bazat tona, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Do të mundohemi gjatë kësaj jave që të bëjmë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë”, tha Murati.