Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit D.V. për vepër penale.
I pandehuri D.V. dyshohet se ka kryer vepër penale “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike nga neni 122, lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste dhe veprën penale mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Përmes një njoftimi për medie, Gjykata Themelore në Prishtinë bën të ditur se gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 01.12.2024, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.V, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri D.V lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale, po ashtu nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengon rrjedhën normale të hetimeve, mund të ndikojë në dëshmitarë, mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në njoftim.
Ndryshe kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./RTK/