Studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit të Universitetit të Prizrenit si dhe nxënësit e shkollave të mesme kanë pasur rastin që të shikojnë një film mjedisor, të pasuar me diskutimet mbi shpyllëzimin e ndikimin ekologjik dhe social si dhe për masat që mund të merren për mbrojtjen e pyjeve.
OJQ “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se në DokuKino është projektuar dokumentari frymëzues “Finite: The Climate of Change”, që pasqyron betejën ndërmjet komuniteteve, aktivistëve dhe korporatave të lëndëve djegëse fosile, lidhur me shpyllëzimet respektivisht përpjekjet për mbrojtjen e pyjeve, raporton Telegrafi.
Pas shfaqjes së filmit, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë që të marrin pjesë në diskutimin e ndikimeve ekologjike dhe sociale të shpyllëzimit.
“Diskutimi në panel është zhvilluar nga mësimdhënësit, Liridon Buqaj dhe Reshat Reshiti, të cilët kanë ndarë pikëpamjet e tyre për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve dhe hapat konkretë që mund të ndërmerren për të adresuar këtë sfidë”, thuhet në njoftim.
Aty është theksuar se gjatë diskutimeve është vënë në pah rëndësia e edukimit, angazhimit qytetar dhe politikave të qëndrueshme për mbrojtjen e pyjeve, të cilat luajnë rol jetik në ruajtjen e ekosistemeve dhe përballjen me ndryshimet klimatike, raporton Telegrafi.
“Ky aktivitet ka shërbyer si platformë për ndërgjegjësim dhe frymëzim për ndërmarrjen e veprimeve konkrete që mund të ndikojnë në ruajtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e EC Ma Ndryshe, ku sqarohet se aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile në Kosovë” (EECSOK), mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe zbatuar nga CDF.