Kanë vazhduar përplasjes mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetes së LDK-së, ish-ministres Hykmete Bajrami, për temën e kontratave njëburimore.
Murati ka ironizuar me Bajramin në Facebook duke i thënë “se e ka njësh, pasi s’ka mësuar”.
“Hykmete, s’paske mësu as sot. Ulu, njësh! Anipse Hykmetja ka qenë për nja 6 muaj Ministre e Financave, e për disa vite tjera edhe Ministre e Tregtisë e Industrisë, nga ajo që paska shkruar në postimin e saj të fundit në Facebook, e dëshmon që ende nuk i din e as që i ka kuptuar ndonjëherë elementet bazë të funksionimit të buxhetit, apo të financave publike në përgjithësi. I qenkan dashur më shumë se 24 orë Hykmetes që të arrijë në momentin e saj të ‘eurekas’, për ta gjetur, siç e quan ajo, ‘manipulimin e radhës’ nga ana ime. Sipas saj, grafikoni që unë kam prezantuar dje ka pasaktësi, sepse nuk është e mundur që në vitin 2008 të nënshkruhen kontrata në vlerë mbi 800 milionë euro, kur vetem afërsisht 500 milionë euro mund të ketë qenë buxheti i atij viti për prokurime. Pak a shumë, kjo ishte akuza. Por, siç nuk e din Hykmetja, buxheti përveç vitit fiskal që mbulon, ka projeksione edhe për dy vite tjera në kuadër të asaj që quhet Korniza Afatmesme e Shpenzimit – KASH. Dhe siç nuk e din Hykmetja, edhe nëse i tërë buxheti për vitin ekzistues është 500 milionë euro, kjo nuk e ndalon organizatën buxhetore që të lidhë kontratë disavjeçare për, ta zëmë ndërtimin e një autostrade, ku pagesa shtrihet në 3 apo 4 vite nga 200 milionë euro. Pra, shpenzimi në njërën anë dhe disponueshmëria e mjeteve në anën tjetër, janë dy gjëra të ndryshme. Këtë e din secili qe merret me financat publike. Por jo edhe Hykmetja”, ka shkruar Murati në Facebook.
E ndaj Muratit ka reaguar Bajrami, duke i thënë atij se “s’do ta ketë kënaqësinë, ta notojë asnjëherë”.
“Hekuran, S’ke me pas kënaqësinë me më notu asnjëherë (never). Rritu! Unë dje të jam përgjigje dy herë. Nuk reagove fare kur ta publikova videon ku partia jote voton kundër auditimit të kontratave një burimore. Pse??? U zmbrapse sikur kolegët e tu në Komision. Edhe ty sot tu paskan dashtë 5 orë që gënjeshtrën e djeshme, me e mbulu me një gënjeshtër tjetër. Ajo çka po thu ti nuk qëndron, por edhe të qëndronte a e din çka po tregon ti o i mjerë. Ti vetë po thua që buxheti i shpenzuar përmes prokurimit publik, ka qenë me i lartë në vitin 2008 kur buxheti total në terma të shpenzimeve ishte vetëm 963 milionë euro sesa buxheti i kontraktuar përmes prokurimit publik në vitin 2023, kur buxheti total ishte 2 miliardë e 925 milionë euro. Për qartësim, mjetet e buxhetit që shpenzohen përmes prokurimit publik janë investime kapitale dhe mallra e shërbime (furnizimi i spitaleve, shkollave, çerdheve, ushtrisë, policisë e mallra të tjera për funksionim të administratës publike). Në këtë kontekst vetë ministri i financave po thotë 2023 është me keq krahasu me 2008. ÇFARË ZHGËNJIMI: 15 vjet më vonë me 2 miliardë euro buxhet më shumë, investime kapitale, mallra e shërbime më pak. Prokuroria ka shumë punë me ju. Publikoji kontratat prej vitit 2007 deri me 2023 ta shohim vërtetësinë e te dhënave! Të shkuan 4 vjet duke vizatu grafa të paqena, 4 vjet me propagandë, asnjë premtim i mbajtur prej 160 çerdheve deri të lirimi i energjisë elektrike. Ik puno diçka, anuloni grantet që i keni pezullu. Ju Qeveria për familjen (familjen e juaj)”, ka shkruar Bajrami.
E në këtë debat është aktivizura edhe deputeti i LDK-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa.
“Hekuran mos filozofo në FB, 4 vjet ministër e s’guxon me dalë në debat live me Hykmeten që ka qenë ministre aty veç 6 muaj”, ka shkruar Mustafa.