“Presidenti Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën që jo vetëm Milan Radoiçiq, por të gjithë autorët, autorët e mundshëm, apo autorët e dyshuar të dalin para drejtësisë. Ne i përmbahemi kësaj si një mesazh shumë i qartë që është dhënë në nivelin më të lartë dhe sigurisht presim që Serbia ta ndjekë këtë. Unë mendoj se askush nuk është i interesuar që situata në veri të përkeqësohet”, ka thënë ambasadori Guerot.
Milan Radoiçiq dhe të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë, ka thënë ambasadori i Francës në Kosovë, Olvier Guerot.
Diplomati francez në një intervistë për KosovaPress që është publikuar të shtunën, ka thënë se presidenti Emmanuel Macron ka qenë shumë i qartë se përgjegjësit për këtë sulm duhet të dalin para drejtësisë dhe se priten veprime nga Serbia.
“Presidenti Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën që jo vetëm Milan Radoiçiq, por të gjithë autorët, autorët e mundshëm, apo autorët e dyshuar të dalin para drejtësisë. Ne i përmbahemi kësaj si një mesazh shumë i qartë që është dhënë në nivelin më të lartë dhe sigurisht presim që Serbia ta ndjekë këtë. Unë mendoj se askush nuk është i interesuar që situata në veri të përkeqësohet”, ka thënë ambasadori Guerot.
Sipas tij, situata e sigurisë në veri është e brishtë, por ka theksuar se KFOR-i dhe EULEX-i, janë duke punuar për të garantuar paqe dhe siguri në këtë pjesë.
Megjithatë, ambasadori ka theksuar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të institucioneve të Kosovës, nuk janë të dobishme, tek ka aluduar në mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe ndalimin e qarkullimit të dinarit.
Sa i përket hapjes së urës së Ibrit, ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të diskutohet në dialogun e Brukselit.
Ai e vlerëson si pozitiv koordinimin e qeverisë për këtë temë.
Ambasadori ka përsëritur kërkesën që Kosova të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Guerot ka thënë e Kosova s’duhet të ketë frikë nga një veprim i tillë dhe ka theksuar se kjo kërkesë po i vjen nga një shtet si Franca dhe aleatët e tjerë që kanë qenë vendimtarë për çlirimin e Kosovës.
“Është opsioni më i mirë dhe i vetmi opsion në tavolinë. Kështu që mendoj se i vetmi organ që mund të vendosë se në çfarë mase propozimi ynë është në përputhje me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese. Ne inkurajojmë fuqimisht autoritetet e Kosovës që vërtet ta dërgojnë këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ky ambasador. “Draftstatutin e propozuar nga BE-ja, e konsiderojmë plotësisht të pajtueshëm me Kushtetutën. Testi më i mirë siç thashë është dërgimi në gjykatë, që është i vetmi organ që mund të tregojë se deri në çfarë mase është në përputhje me Kushtetutën”.
Tek ka argumentuar se dokumentoi duhet pranuar, ka thënë se shtetet që po e kërkojnë këtë e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet.
“Ne kemi qenë vendimtarë, kemi qenë vendimtarë për të ndihmuar Kosovën në ’99-n, në njohjen e Kosovës në vitin 2008, dhe mbështetja jonë për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar fare. Ajo është ende aty aq e fortë sa kurrë më parë. Pra, nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë veprim nga ana jonë që do të kishte ndikim të dëmshëm në Kosovë. Jemi të bindur se draftstatuti i propozuar nga BE-ja, për asociacionin, ndihmon dhe jemi të bindur që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Guerot.
Duke folur për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ambasadori Guerot ka thënë se përfitimet e Kosovës do të jenë të mëdha./KOHA/