Nëpërmjet komunikimit, në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve!Ky është slogani i fushatës për promovimin e punës së Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri, e cila filloi më 13 nëntor në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës tha se u ka shpërndarë qytetarëve fletëpalosje informuese dhe se ata janë shprehur “të kënaqur me punën e policisë”.Por, disa qytetarë nga veriu i Kosovës, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, mohojnë se janë të kënaqur me punën e policisë dhe theksojnë se “nuk kanë besim”.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se “injorimi i realitetit nga ana e policisë, tregon se sa e keqe është situata në terren”.“Ankesat e shumta nga qytetarët duhet të jenë zile zgjimi për policinë, por edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.
Përndryshe, fushata e Policisë së Kosovës vjen pas pohimeve gjithnjë e më të shpeshta të qytetarëve dhe aktivistëve në veri, se policia “shkel të drejtat e njeriut” dhe, madje, ka edhe raste të “përdorimit të tepruar të forcës”.Në fund të tetorit, dy policë të Kosovës u suspenduan me propozim të Inspektoratit Policor, për shkak të dyshimit se, më 26 tetor, kanë keqtrajtuar qytetarin e Mitrovicës së Veriut, Millosh Subotiq.
Për shkak të atij rasti, një grup i organizatave joqeveritare e ndërpreu bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, i cili mbikëqyr punën e Policisë në Kosovë.Grupi u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që ta adresojnë problemin e sjelljes së policisë në komunat në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës thotë se fushata për promovimin e punës së saj do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në të gjitha komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.Qëllimi i saj thuhet se është “ndërtimi i besimit”.
Besim “vetëm nëse kthehen tanët”Suzana nga Leposaviqi thotë se kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe besim, por thekson se situata në terren është ndryshe.
“E kanë tepruar. Policia speciale të kontrollon gjatë gjithë kohës në rrugë. Nuk mund të ndalosh askund”, thotë ajo.Zorani nga Leposaviqi thotë se nuk ka bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve dhe se këta të fundit, shpeshherë, ndihen “të kërcënuar” nga vetë policia.
“Ne nuk jemi mendjelehtë, e dimë se çfarë është ligji, por duhet të na trajtojnë pak më ndryshe”, thotë ai.Për të ndryshuar situata, Zorani thotë se është e nevojshme që në mesin e policëve në veri të Kosovës, të ketë më shumë nga komuniteti serb.
“Le të vijnë njerëzit tanë, të punojnë njerëz që janë nga ky vend, që e njohin popullin dhe mentalitetin. Është e gjitha psikologji – në njëfarë mënyre”, thotë ai.Edhe Suzana thotë se besimi në Policinë e Kosovës mund të kthehet vetëm nëse pjesëtarët e komunitetit serb kthehen në radhët e saj.
“Ashtu siç ishte më parë… Le të kthehen edhe gjyqtarët tanë. Atëherë, mund të kemi më shumë besim”, thotë ajo.Mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave.