Pak minuta nga qyteti i Lipjanit gjendet Shpella e Gadimes apo siç njihet si Shpella e Mermertë. Kjo shpellë është një monument i veçantë dhe zë vendin e tretë në Evropë nga bukuria natyrore. Ndërkaq në gjithë planetin janë vetëm pesë shpella të tilla. Kjo shpellë për herë të parë është zbuluar nga banori i Gadimes, Ahmet Asllani i cili aso kohe po e ndërtonte shtëpinë e tij duke marrë gurë në afërsi të shpellës.
Ajo që e bën të veçantë shpellën e Gadimes është prezenca e kristaleve që quhen aragonite. Ky monument i rëndësisë së veçantë është i mbrojtur nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ndërkaq menaxhohet nga Ministria Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës.
Drejtoresha e shpellës në Gadime, Adriana Pllana, në një intervistë për Telegrafin, ka treguar për rëndësinë dhe vlerën e veçantë të këtij monumenti natyror. Sipas saj, deri më tash janë bërë disa investime, por nevojat janë më të mëdha për ta zbuluar edhe katin e dytë dhe hapjen e disa korridoreve të reja.
Ajo ka folur edhe për rënien e numrit të vizitorëve pas pandemisë Covid19 dhe pas liberalizimit të vizave.
“Vizitor kemi, por jo aq shumë sa ishin para pandemisë në vitin 2019, pastaj ndikimin tjetër e ka pasur edhe liberalizimi i vizave. Këto vit e kemi vërejtur një ulje të numrit të vizitorëve nga Kosova. Pra ulja po vërehet edhe nga nxënësit e shkollave. Shpella është një bukuri e natyrës e cila është e pasur me mermer dhe për atë arsyeje titullohet si shpella e mermertë, andaj shpella të tilla në gjithë planetin janë vetëm pesë ose gjashtë. Pra, është një bukuri e rrallë natyrore”, ka thënë Pllana.
Sipas saj aragonitet që janë brenda shpellës janë të rralla në Kosovë dhe më gjerë, andaj veçoria e tyre është se ujërat që rrjedhin kalojnë deri në maje të tyre.
“Ne e dimë se me ligjin e gravitetit çka është lartë duhet të bije teposhtë, por në këtë rast uji kur arrin në maje të kristalit kthehet përsëri lartë dhe duke u kthyer lartë kristalizohet dhe formohet kristali aragonit. Pra, në këtë rast thyhet ligji i gravitetit”, ka thënë Pllana.
Ajo tregon se kanë vizita edhe nga shkollat fillore, por me numër të vogël të nxënësve.
“Kemi vizita edhe nga studentët për shkaqe të hulumtimeve të tyre dhe studimeve të tyre. Më Shumti kemi student nga dega e biologjisë dhe gjeologjisë, madje ata vijnë edhe të organizuar me profesorët e tyre”, ka thënë ajo.
Sipas saj vizitor kanë edhe nga Maqedonia, ndërkaq institucionet kanë bërë investime për ta rregulluar ndriçimin profesional të shpellës, por ka hapësirë edhe për investime të tjera.
“Kemi nevojë edhe për monitorimin me kamera sepse një thyerje e kristalit është vepër penale dhe nuk lejohet thyerja e tyre. Pastaj është me prioritet të lartë edhe vazhdimi i hulumtimit të shpellës , hapja e korridoreve të reja, pastaj hulumtimi për katin sipër që është i pa hulumtuar dhe nuk kemi asnjë studim. Andaj ka nevojë për investime të mëdha”, ka thënë Pllana.
Bujar Ejupi, ciceron i kësaj shpelle, ka treguar për Telegrafin se kjo pasuri natyrore është e veçantë për gjithë Kosovën. Ai ka treguar se shpella është zbuluar nga banori i Gadimes Ahmet Asllani në vitin 1969 i cili aso kohe kishte njoftuar institucionet dhe ishte kuptuar se kjo pasuri natyrore është e veçantë në Kosovë dhe më gjerë.
“Rreth 90 për qind shpellës përbëhet nga shkëmbinjtë e mermertë që janë të rralla dhe është në vendin e tretë në Evropë për nga bukuritë natyrore që ka. Ka galei të bukura dhe të ndryshme”, ka deklaruar Ejupi.
Ai shpjegon se brenda në shpellë është edhe salla e koncertit ku shkolla fillore “Zenel Hajdini”në Gadime për herë të parë pati mbajtur një koncert dhe nga atëherë është emëruar kjo sallë e koncerteve.
“Këtu ka edhe tinguj të muzikës përmes kristaleve të cilat kanë zbrazësi në mes dhe asnjë kristal nuk e ka tingullin e njëjtë. Brenda në shpellë është edhe galeria apo kopshti i dashurisë kur “Romeo dhe Xhulieta” e presin takimin e tyre edhe një milion e 500 mijë vjet. Kristali që vjen nga lartë-poshtë e quajmë stalaktit, e ka një vrimë në mes dhe pika e ujit bie poshtë, avullohet –kristalizohet dhe formohet stalaktiti nga poshtë-lartë. Pra bashkimi i këtyre kristaleve formojnë stalagiatet apo shtyllat e shpellës”, ka njoftuar ai. /Telegrafi/