Vendimi i qeverisë për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi ndër qytetare, për siç thuhet lënien anash të sektorit privat. Madje sipas shumicës prej tyre, edhe rritja e pagave në sektorin publik është bërë vetëm për konsum elektoral para zgjedhjeve. Ata po ashtu shprehin dyshime se as ky vendim i qeverisë nuk do të zbatohet. Pakënaqësi për këtë rritje të pagave kanë edhe sindikatat.
Vendimi për rritjen e pagave në dy pjesë për sektorin publik i cili pritet të hyjë në fuqi nga një janari, qytetarët e lidhën me fushatën zgjedhore. Pavarësisht se qeveria vlerësoi se nga kjo rritje do të përfitojnë i gjithë sektori publik, qytetarët mendojnë të kundërtën. Shumica prej tyre madje e vënë në pikëpyetje zbatueshmërinë e këtij vendimi.
“Rritja e pagave nga qeveria katastrofale. Nuk po bëjnë krahasime, nuk po mendojnë për qytetarët…Nuk është e mjaftueshme. Si është e mjaftueshme për pensione, për shoqërinë civile, për të gjithë. Nuk është e mjaftueshme. Nuk duhet ashtu, veç të thonë po e rrisim dhe në prag të zgjedhjeve kinse po rrisim diçka…Ku kanë qenë deri tash që nuk i kanë rritur? Tani tre muaj para zgjedhjeve po rrisin, çfarë rritje është kjo. Shaka po bëjnë me qytetarët apo?
Nëse e kanë për vota, kurrë nuk do të marrin vota prej qytetarëve. Qytetarët hanë bukë, nuk hanë bari. E dinë si. Nuk duhet ta bëjnë për shkak të votave. Kjo padrejtësi, është diskriminim, është gjithçka”, tha qytetari, Isuf Musliu.
Nuk ka rritje të pagave, të shihet realisht. Çfarë pagash, çfarë pensionesh ka sot. As ndihma sociale nuk janë. Çfarë çmimesh ka sot tregu kosovar, kush mund t’i përballojë, vetëm funksionarët, njerëzit në vende kyçe. Përndryshe, klasa punëtore vështirë t’i përballojë. Standardi i një vendit nuk matet as me të ardhura të një biznesmeni, as të funksionarit, as të deputetit, por matet me rrogë mesatare…E kanë rritur prej dhunës (presionit)…Kemi besuar që me të vërtetë do të kemi një ndryshim radikal, sa i përket punësimit, të të ardhurave, të çdo profili të vlerësohet ashtu siç e meriton, por nuk është askund. E gjitha paska qenë një ëndërr e rrejshme”, tha për rtv21, Enver Leci, qytetar.
Dyshime për vendimin e qeverisë për rritje pagash shprehën edhe sindikatat.
Të pakënaqur me rritjen e pagave janë edhe sindikata e arsimit në Kosovës, kryetari i saj Rrahman Jasharaj, vë në dyshim zbatueshmërinë e këtij vendimi.
“Konsideroj që kjo nuk është rritje, vetëm deklaratë, ngase ndërlidhet me janarin e tutje dhe po të kishte ndodhur në këtë muaj kjo rritje, është tepër e vogël…Unë flas vetëm për punëtorët e arsimit që nga çerdhet deri në universitet, këtë lajm e kanë pritur me shqetësim dhe ka krijuar pa kënaqësi shtesë. Ne me 3 shtator i kemi bërë kërkesë zotëri Kurti, që së paku koeficienti të ngritët për 30 për qind duke e argumentuar me faktin se e kemi një ngritje të vazhdueshme të çmimeve…Murati në vend të lëvdatave duhet ta thotë të vërtetën në këtë vit kalendarik, ngritja në arsim parauniversitar e pagave me atë lëvizje nga 105 në 110 ka reflektuar me një ngritje 28 euro, që ka qenë irrituese, nënçmuese…Kjo mund të jetë edhe një lojë, një mashtrim do ta quaja ngase flitet për janarin jo për tetorin. Qeveria ka mundur të lëvizë koeficientin, e jo të bëjë këso lëvizje ironike, sepse 50 më pak e 50 më shumë nuk e ndryshojnë jetën e mësimdhënësve që nga çerdhet në universitet”, th Jasharaj.
Sipas Kryetares së FSSHK-së, vendimi i qeverisë për rritjen e pagave është “lojë e fushatës parazgjedhore”.