Zyra e Kryeministrit ka hapur një tender më 13.11.2024 për të marrë me qira 15 vetura.
Sipas tenderit të publikuar, kohëzgjatja është 12 muaj dhe vlera e parashikuar e këtij tenderi është 124 e 500 mijë euro.
Nëse e llogarisim këtë çmim për 15 vetura, i bie që Zyra e Kryeministrit do të paguajë 8 mijë e 300 euro për një veturë me qira për 12 muaj, apo rreth 691 euro në muaj. Sigurisht, ofertat mund të jenë me çmim më të ulët sesa vlera e parashikuar e tenderit.
Veturat, sipas të dhënave në tender, do të përdoren për nevojat e Zyrës së Kryeministrit, ndërsa është kërkuar që kompania që oferton duhet të dorëzojë një katalog të veturave që mund të ofrojë.
Në dosjen e tenderit është kërkuar që ngjyra e veturave të jetë metalike, ndërsa gomat duhet të jenë të sezonit dhe ndërrimi të bëhet në datat që kërkohen me ligj. Po ashtu, është kërkuar që kompania që merr kontratën ta bëjë mirëmbajtjen, riparimin dhe çdo shpenzim tjetër gjatë periudhës së kontratës.
“Në rast të defektit të automjetit, kontraktuesi obligohet që brenda periudhës sa më të shkurt të aftësoj apo zëvendësoj automjetin jo më larg se dy ditë pune, kur nevojiten më shumë se dy ditë pune kontraktuesi duhet t’i ofroj autoritetit një veturë tjetër në përdorim deri sa të rregullohet vetura por jo për periudha më të gjata se 15 ditë” – thuhet në dosjen e këtij tenderi, raporton Kallxo.
Gjithashtu në dosje të tenderit është theksuar se nuk lejohet bartja e mallrave private, apo nuk lejohet numri i udhëtarëve më shumë sesa ceket në librezën e automjetit, si dhe veturat nuk duhet të jenë më të vjetra se viti 2018.