Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur me respekt të madh luftëtarin e së drejtës dhe mikun e shquar të Kosovës, Gjeneralin Wesley Clark.
Ky takim emocional dhe domethënës rikujton kohët e vështira dhe angazhimin e përbashkët për lirinë e vendit tonë.
Ministri Maqedonci theksoi rolin vendimtar të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, ku ndihma ajrore e komanduar nga Clark ishte jetike për përmbylljen e suksesshme të luftës.
“Kur po luftonim kundër së keqes që kërcënonte vendin tonë, mbështetja nga ajri ishte faktor kyç,” deklaroi Maqedonci.
Në këtë takim, Ministri Maqedonci i shprehu falënderimet e thella Gjeneralit Clark për udhëheqjen e fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake serbe dhe ndau me të përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
Ministri vlerësoi profesionalizmin e lartë të FSK-së, të arritur përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.
Gjenerali Clark, i cili komandoi forcat e NATO-s gjatë ndërhyrjes humanitare në vitin 1999, mbetet një simbol i ndihmës ndërkombëtare dhe një mbështetës i palëkundur i Kosovës.