Dhuna dhe ngacmimi seksual në vendet e punës dhe në shkolla janë çështje serioze që kërkon qasje të përbashkët nga institucionet, shoqëria dhe vetë individët për të parandaluar dhe trajtuar rastet e kësaj natyre është thënë të enjten në konferencën “Mbrojtja dhe promovimi i barazisë gjinore në vendin e punës” të organizuar në Prizren nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi.
Bashkim Rakaj nga Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka theksuar se hulumtimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare tregojnë se pjesa dërmuese e grave janë të familjarizuara me termin ngacmim seksual në vendin e punës, por se nuk ka denoncime, raporton Telegrafi.
“Në Komunën e Prizrenit nuk ka pas raste të denoncimeve lidhur me ngacmimet seksuale”, ka thënë Rakaj.
Mybexhele Zhuri nga Njësia për të drejtat e njeriut në Komunën e Prizrenit ka theksuar se kjo temë nuk është trajtuar në masën e duhur në institucione dhe se trajnimet e kohëve të fundit në këtë aspekt kanë dhënë efektin e vet.
“Trajnimet janë të rëndësishme që zyrtarët të informohen për këtë dukuri, pasi ka ndikim të shumanshëm”, është shprehur ajo. Zhuri ka theksuar se Komuna e Prizrenit ka miratuar politika publike që mundësojnë ndërmarrjen e veprimeve për fuqizimin e barazisë gjinore.
Sipas saj denoncimi i rasteve të ngacmimit seksual është i ndjeshëm, meqë viktimat edhe mund të fajësohen dhe stigmatizohen, raporton Telegrafi.
Fexhrie Arifi Kastrati nga sektori privat ka theksuar se në kompaninë e saj pjesa dërmuese e të punësuarve janë gra, dhe se në kuadër të mundësive janë krijuar kushte të përshtatshme për punë.
Tringa Kasemi nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi ka theksuar se mbrojtja dhe promovimi i barazisë gjinore në vendin e punës është mjaft i rëndësishëm, dhe se në këtë aspekt luan rol të rëndësishëm edhe krijimi i rregulloreve të brendshme lidhur me dhunën e ngacmimet seksuale në vendet e punës, me qëllim të parandalimit dhe trajtimit të rasteve të kësaj natyre.
Gjatë diskutimeve është shqyrtuar edhe parandalimi i rasteve të tilla në shkolla, me ç’rast aktivisti i shoqërisë civile Arben Shala ka theksuar se Rregullorja për funksionimin e institucioneve edukative-arsimore në Komunën e Prizrenit parasheh dispozita të caktuara. Sipas tij nevojitet informimi më i mirë i hisedarëve për këtë politikë publike.
Ndërkaq Naim Cahani ka pohuar se mbrojtja dhe promovimi i barazisë gjinore në vendin e punës kërkon angazhim gjithëpërfshirës. Sipas tij bazuar në diskutimet gjatë takimeve të ndryshme kanë treguar se të drejtat e grave në vendin e punës shkelen më shumë në raport me burrat, dhe se një gjë e tillë është më e shprehur në sektorin privat, raporton Telegrafi.
Konferenca në fjalë është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i barazisë në vendin e punës: Avancimi i ekuilibrit gjinor”, me mbështetje financiare të Bashkimi Europian, përkrahur nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Ky projekt ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen dhe promovimin e barazisë në vendin e punës, përfshirë angazhimin në njohjen e pabarazive dhe parandalimin e diskriminimit gjinor si dhe parandalimin e adresimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës. /Telegrafi/