Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka uruar shërim të shpejtë shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, e cila para tri javësh u diagnostifikua me kancer të gjirit, ndërsa sot iu nënshtrua operimit, raporton gazeta online Reporeteri.net.
“E nderuar Kryetare e Grupit parlamentar, E dashur Mimoza, shërim të plotë e kthim të shpejtë në aktivitetet që udhëheq! Qofsh çdo herë e fortë si deri më sot”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Me këtë rast, Vitia u ka bërë thirrje vajzave dhe grave për kontrolla të rregullta dhe mamografi.
“Të dashura gra e vajza, me këtë rast i bashkohem thirrjes së Mimozës për kontrolla të rregullta siç është mamografia. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit jo vetëm shpëton jetë por edhe pasojat janë minimale”, ka shkruar Vitia.