Parlamenti studentor ka njoftuar se pas takimit me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, kanë marrë përgjigje që janë plotësuar disa nga kërkesat e tyre.
Njëra ndër kërkesat e tyre është edhe zhvillimi i mësimit me prezencë fizike të studentëve dhe lirimi nga pagesa e të gjithë studentëve të nivelit Bachelor.
Pas një takimi me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, drejtues të Parlamentit Studentor njoftuan se janë realizuar disa nga kërkesat e tyre; zhvillimi i mësimit me prezencë fizike të studentëve dhe lirimi nga pagesa e të gjithë studentëve të nivelit Bachelor. Kështu i tha Radio Kosovës Elbasan Geci.
Sipas tij, gjatë ditëve në vijim, presin publikimin e vendimit zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njoftoi se nuk ka pranuar ndonjë shkresë zyrtare për ndryshimin e organizimit të procesit mësimor si rrjedhojë e masave anti-COVID.
Sipas UP-së, gjithashtu nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët. Kërkesat e studentëve ishin: zhvillimi i mësimit me prezencë fizike, lirimi nga pagesa për të gjithë studentët e nivelit Bachelor, hapja e bibliotekave, të lirohen 50% nga pagesa të gjithë studentët e nivelit Master dhe Doktoraturës, studentët nga Lugina e Preshevës përfitojnë nga bursat e Ministrisë së Arsimit dhe disa të tjera që kanë të bëjnë me projekte për shkëmbimin e njohurive mes studentëve.