Ekonomia e Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2024 me rritje ekonomike prej 3.8 përqind, thuhet në raportin e Bankës Botërore “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”. Sipas kësaj organizate, rritja u nxit kryesisht nga konsumi dhe investimet e diasporës në ndërtim. Sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon ta ketë numrin më të madh të të papunëve në rajon. Vetëm 37 përqind e qytetarëve të aftë për punë, janë të punësuar.
Rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3.8 përqind, thuhet në raportin e Bankës Botërore me titullin “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, i prezantuar të enjten.
Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci, tha se rritja ekonomike këtë vit, kryesisht u nxit nga konsumi dhe investimet e diasporës në ndërtim.
“Raporti analizon zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektivën afatmesme të ekonomisë në Kosovë. Pas një ngadalësimi në vitin 2023, rritja e ekonomisë së Kosovës u përshpejtua në pjesën e parë të vitit 2024, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Kjo u mbështet nga lehtësimi i presionit të çmimeve, rritja e vazhdueshme e kredive, të cilat kanë mbështetur aktivitetin e konsumit dhe investimit.
Performanca fiskale mbeti e qëndrueshme, me rritjen e të hyrave që vazhdoi të jetë e fortë”, ka thënë ai.
Sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon ta ketë numrin më të madh të të papunëve në rajon. Vetëm 37 për qind e qytetarëve të aftë për punë, janë të punësuar.
Sfidat kryesore për Kosovën, sipas raportit, mbesin reformat në sektorin e energjisë, furnizimi me ujë, si dhe lidhjet me tregjet e jashtme.
“Megjithatë, vendi është përballur me nevojën urgjente për të ndërmarrë reforma që kërkojnë burime të konsiderueshme fiskale. Midis tyre, kyç është zbatimi i një strategjie të re energjetike, përmirësimi i sigurisë ujore dhe përshpejtimi i reformave që synojnë forcimin e kapitalit njerëzor dhe konektivitetit. Megjithatë, ekziston një nevojë urgjente për të inkurajuar pjesëmarrje më të madhe në fuqinë punëtore, veçanërisht të grave, duke i pajisur ato me aftësitë dhe burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu pune në zhvillim. Rritja e presioneve për shpenzime të lidhura me ciklin e ardhshëm zgjedhor, si dhe pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike, përfaqësojnë rreziqe për perspektivën e rritjes ekonomike”, ka thënë Paolucci.
Sipas raportit, vitin e ardhshëm, Kosova pritet të ketë rritje prej 3.9 për qind, kurse më 2026, 4 përqind.
Nga vendet e rajonit, 3.8 për qind rritje ekonomike këtë vit do të ketë edhe Serbia, ndërkaq Mali i Zi 3.4 përqind, Shqipëria 3.3 përqind, Bosnjë-Hercegovina 2.8 për qind dhe Maqedonia e Veriut 1.8 për qind.