Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore të DRP-së në Prizren, gjatë periudhës kohore 07.10.2024 – 13.10.2024, në vazhdën e implementimit të planit operativ “Siguria në trafikun rrugor”, kanë realizuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon katër komuna në rajonin e Prizrenit.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1974 gjoba për kundërvajtësit të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.
Po ashtu në kuadër të këtij plani janë ndërmarrë aktivitete edhe në rastet e mëposhtme:
- Hetimi i 13 aksidenteve të komunikacionit me të lënduar,
- Hetim i 26 aksidenteve të komunikacionit me dëme materiale,
- Shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve për 8 ngasës.
“Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit të automjeteve me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të komunikacionit rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet.”, njofton tutje policia.
Realizimi i urdhëresave të gjykatave ne rajonin e Prizrenit
Drejtoria Rajonale e Policisë ne Prizren ka bërë të ditur tutje se në bazë të planit operativ “Realizimi i urdhëresave të Gjykatave Themelore”, gjatë periudhës kohore 07 – 11 tetor 2024 ka realizuar 55 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.
“Drejtoria Rajonale e Policisë ne Prizren do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës. Me ketë rast, Policia Rajonale e Prizrenit i falënderon qytetarët për bashkëpunim me policinë, nëse kanë informacione për personat që janë të kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë policinë dhe stacionet më të afërta të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose përmes numrit të telefonit 192 dhe 029 244 355.”, thuhet në fund të njoftimit të DRP-së./TVPrizreni/