Zv’sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka takuar të premten liderët e partive opozitare të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në takim me zyrtarë të PDK-së, Kasanof ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.
“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vetmja rrugë përpara është partneriteti me SHBA-në.
“Mbështetja e fuqishme e ShBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë.
“Kryetari Abdixhiku e siguroi Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë. Kryetari Abdixhiku, po ashtu, e njoftoi Kasanof për ecurinë e përgatitjeve për fushatën parazgjedhore, për takimet me qytetarët gjithandej Kosovës, si dhe për shtyllat kryesore të programit politik ‘Rruga e re’. Abdixhiku theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-të në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook./TVPrizreni/