Në kuadër të aktiviteteve të projektit KSV-017 /LuxDev-it, të premten dhe të shtunën, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka qëndruar Dr. Fethi Ben Ahmed, kardiolog nga Luksemburgu, njofton zyra për informim e këtij institucioni shëndetësor. Ai së bashku me ekipën e mjekëve invazivë nga QKUK dhe mjekët e spitalit të Prizrenit kanë kryer koronografinë/intervenimin tek 8 pacientë të shtruar në Laboratorin e Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren.
Laboratori i Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren është hapur më datën 14 qershor 2024.
Dr. Fazli Berisha, shef i repartit të Koronares dhe përgjegjësi i Kardiologjisë Intervente ka thënë se puna është duke u kryer pa problem dhe pacientët trajtohen sipas planifikimit dhe listës së pritjes, duke ofruar edhe të dhënat për numrin e pacientëve të trajtuar. “Nga data 14 qershor 2024 deri më datën 09.09.2024 në Shërbimin e Kardiologjisë intervente janë kryer 154 koronografi dhe 67 stentime. Të gjitha rastet janë kryer me sukses dhe nuk ka pasur komplikime të pacientëve të trajtuar”, – pohoi dr. Berisha.
Për funksionalizimin e Shërbimit të Kardiologjisë intervente – laboratori i kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren, Ministria e Shëndetësisë/ShSKUK-së për planin arkitekturor, punët infrastrukturore, materiali shpenzues dhe medikamentet e nevojshme kanë investuar rreth 1 milion euro, kurse Qeveria e Luksemburgut për sigurimin e pajisjeve mjekësore të nevojshme për funksionalizimin e këtij shërbimi, inventarin jomjekësor (mobilimi) dhe trajnimet profesionale të stafit brenda dhe jashtë Kosovës ka investuar 2 milion euro.
Ardhja e Dr. Fethi Ben Ahmed, kardiolog nga Luksemburgu, është aktivitet në kuadër të trajnimeve profesionale të projektit KSV-017 /LuxDev, njofton zyra për informim e Spitalit të Prizrenit./TVPrizreni/