I shumëkërkuari që njihet për mashtrime me kriptovaluta tashmë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës. Nën dyshimet se ka përfituar shuma të majme parash bashkë me anëtarë të tjerë të një grupi kriminal, i dyshuari Fitim Cakolli do të përballet me plot denoncime të kosovarëve që kanë rënë pre e tij, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 33-vjeçari nga Kamenica, Fitim Cakolli, është prangosur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Pejës.
Sinjali ka siguruar edhe fotografinë e Fitim Cakollit, i cili shumë shpejt pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, Cakolli është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tij është lëshuar urdhri për ndalim policor, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Në fund të muajit gusht, Policia ka arrestuar shokun e Cakollit, me të cilit dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm mbi 50 mijë euro, me premtime të rrejshme për investime në kriptovaluta.
Personi që ra pre e të dyshuarve e ka denoncuar rastin dhe si rezultat fillimisht është arrestuar Fatlum Ramabaja.
I njohur për mashtrime me kripto, Fitim Cakolli, qe një kohë të gjatë ka qëndruar në arrati, përkundër që ndaj tij ka pasur denoncime të vazhdueshme – për çka Sinjali ka raportuar.