Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” ka dorëzuar kërkesë zyrtare te kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe te ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rritje të fondeve për nevojat e mbrojtjes juridike të ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo kërkesë u është dorëzuar krerëve institucionalë më 12 gusht të këtij viti, ka bërë të ditur kryesuesi i këtij bordi Ismail Syla.
Në këtë kërkesë thuhet se në mungesë të mjeteve financiare, është larguar një nga avokatët kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaji.
“Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtynte vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar. Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Fondacionit.
Më tej, ai konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivsht në garancionet që derivojnë prej saj, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kufizimi.
“Pamundësia financiare për ta mbrojtur në mënyrë efikase çështjen para Dhomave të Specializuara, jo vetëm për ish-presidentin Thaçi, por edhe cilindo person të akuzuar e vendosë në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila ka buxhet pakrahasimisht më të madh për kryerjen e funksioneve të saj”, thuhet në letër.
Shuma që Republika e Kosovës ka shpenzuar gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 për mbrojtjen e të akuzuarve të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka qenë 8 milionë e 195 mijë e 800 euro, duke e kaluar buxhetin e ndarë për atë vit, shifër e cila ishte 7 milionë euro.
Sipas të dhënave që ka siguruar “Betimi për Drejtësi” nga Ministria e Drejtësisë, shuma më e madhe e mjeteve të ndara për mbrojtjen e të akuzuarve gjatë vitit 2023 është ndarë për mbrojtjen e Jakup Krasniqit. Ndërsa, pas tij qëndron mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit me të njëjtën shumë. Kurse, nga katërshja e UÇK-së, më së paku është shpenzuar për mbrojtjen e Hashim Thaçit.
Nga të dhënat e MD-së, bëhet e ditur se gjatë vitit 2023, mbrojtja e Krasniqit ka shpenzuar 1 milion e 540 mijë euro, mbrojtja e Veselit dhe ajo e Selimit nga 1 milion e 430 mijë euro. Ndërsa, ajo e Thaçit ka shpenzuar 1 milion e 371 mijë e 800 euro.
Ndërsa, gjatë periudhës janar-korrik të 2024-ës, Republika e Kosovës ka shpenzuar mbi 3 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka njoftuar Ministria e Drejtësisë./KOHA/