Dy raste të të shtënave me armë zjarri në ahengje familjare janë raportuar në Prizren brenda 24 orësh.
Të dhënat e Policisë tregojnë se njëri rast ka ndodhur në rrugën “Mujdin Aliu” në Prizren, e tjetri në fshatin Zhur të kësaj komune.
Të dyja rastet janë iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në Zhur, sipas Policisë, më 12.08.2024, rreth orës 01:13 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar. Lidhur me rastin është intervistuar një person.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur katër gëzhoja të armës. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin policor.
Ndërsa në rastin tjetër, raportohet se më 12.08.2024, rreth 23:00 është arrestuar një burrë – për arsye se, sipas PK-së, kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar.
“Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gaz dhe tre fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raport.