Policia e Kosovës duke dhënë detaje shtesë rreth rastit të djegies së tri shtëpive në Prizren, ka thënë se zjarri fillimisht ka përfshirë shkurret rreth tyre.
Rasti ndodhi në fshatin Novak të Prizrenit më 11.08.2024 rreth orës 19:25 – tregojnë të dhënat e Policisë.
“Patrullat policor të Stacionit Policor Prizren veri menjëherë kanë shkuar në vend ngjarje prej nga janë informuar se pasi që kanë marrë zjarr shkurret (peregji) në afërsi të shtëpive, zjarri fushor është pahapur dhe janë djegë edhe tre shtëpitë që gjendeshin aty afër”- thekson Policia.
Sipas PK-së, shtëpitë ishin të pabanuara dhe janë pronë e qytetarëve serbë, ndërsa “në përgjithësi ajo lagje është e pabanuar, por në fshat ka disa banorë serbë dhe shqiptarë.”
Policia më tej thekson se në shuarjen e zjarrit fillimisht është angazhuar me cisternat e saj një kompani vendore e cila e ka bazën aty afër e më pas edhe zjarrfikësit dhe se zjarri është arritë që të shuhet.
“Nga shikimi i parë duket se zjarri ka filluar në shkurre pak më larg shtëpive por duke marrë parasysh se lagjja në përgjithësi e edhe oborret e shtëpive janë të pabanuara, kanë pasur bimësi dhe shkurre të shumta e të thara për shkak të motit, andaj edhe zjarri është përhapur shpejt”- thotë Policia e Kosovës.
Lidhur me rastin, sipas PK-së është njoftuar prokurori i shtetit, e në vend ngjarje kanë dalë edhe hetuesit e stacionit dhe hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve si dhe eproret e stacionit dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë.
Për momentin, Policia thotë se nuk ka ndonjë të dyshuar, ndërsa theksojnë se po e presin raportin e ekspertëve të zjarrit që të shpjegojnë se si ka ardhur dhe ku ka filluar zjarri.
“Rasti do të hetohet nga Sektori Rajonal – Hetimeve nga DRP Prizren”- përfundon njoftimi.