Pesë serbëve të arrestuar, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën e “Krimeve të luftës kundër popullatës civile”, iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Policia e Kosovës sot gjatë ditës njoftoi për arrestimin e pesë serbëve.
“Me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh, me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.s.”
Sinjali mësoi ekskluzivisht emrat e katër nga pesë të arrestuarve për këtë vepër, bëhet fjalë për: Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Slobodan Jevtiq, Milça Shosiq.
Cilat akuza rëndojnë mbi ta?
Ata akuzohen se kishin kryer vrasje, plagos, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për personat e lartcekur do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve./GazetaSinjali/