Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar këtë javë një takim me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe USAID-it, sipas një njoftimi të Presidencës.
Në takim është diskutuar për koordinim në promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat.
“Para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se Zyra e Presidentes është vazhdimisht e hapur për koordinim të veprimeve për promovim të potencialit ekonomik të Kosovës dhe shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Odën Ekonomike Amerikane”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, Osmani foli edhe kontributin e SHBA-së në fuqizimin ekonomik dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare./GazetaSinjali/