Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren ka ndarë disa pamje të Parkut të Biznesit në Prizren, i cili shihet i mbuluar nga mbeturinat. LDK në Prizren ka kritikuar qeverisjen lokale duke thënë se Parku i Biznesit është premtuar të funksionalizohet nga kryetari Totaj qysh në muajt e parë të qverisjes së tij, por që sipas tyre kjo hapësirë për biznese tani është kthyer në deponi mbeturinash.
“Këto janë pamjet e Parkut të Biznesit, i premtuar nga Shaqir Totaj, se do të funksionalizohet qysh në muajt e parë të qeverisjes së tij. Por mjafton ta vizitoni dhe do të shihni nga afër se kjo pjesë e dedikuar për biznese është kthyer në deponi mbeturinash dhe gjendja e saj është tmerruese. Hapsirat për biznese janë kthyer në djerrina dhe depo mbeturinash!”, shkruan zyra për informim e LDK-së në Prizren.
LDK thekson se qeveria aktuale në komunën e Prizrenit ka qasje të papërgjegjshme dhe injoruese ndaj nevojave të bizneseve për hapësirë të mjaftueshme ku mund të zhvillojnë veprimtaritë e veta, si dhe mungesë të ideve për të krijuar kushte më të mira për ta.
“Kjo tregon qasjen e papëgjegjshme dhe injoruese të kësaj qeverie dhe qeverisje ndaj bizneseve të Prizrenit, dhe mungesën e ideve për të krijuar kushte më të mira për ta.”, thuhet tutje në reagim.
Ndërsa, sipas tyre, bizneset në Prizren kanë nevojë për më shumë mbështetje, sepse ndihmojnë në zhvillimin e turizmit, punësimit dhe prodhimtarisë në komunën tonë.
“Bizneset në Prizren, kanë nevojë për më shumë hapsira, për më shumë përkrahje dhe mbështetje dhe jo premtime boshe. Pa biznese, Prizreni nuk do të kishte turizëm, punësime, zhvillim dhe prodhime që na bëjnë të ndihemi krenar.”, thuhet në fund të reagimit të LDK-së në Prizren./TVPrizreni/