Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë vlerësim të lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të suksesshëm të rishikimit të dytë të programeve Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF).
Në një njoftim të BQK-së thuhet se rishikimi i FMN-së thekson përkushtimin e BQK-së për reformën ambicioze institucionale, duke përfshirë rregulloret e reja të miratuara.
“FMN ka vlerësuar miratimin nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të Rregullores së re për Operacionet me Para të Gatshme si të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të pagesave, fuqizimin e kontrollit mbi qarkullimin e valutës, luftimin e parave të falsifikuara dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Rregullorja në fjalë rregullon përdorimin e euros si valutë e vetme ligjore për pagesa, ndalon funksionimin e institucioneve financiare të pa-licencuara dhe dekurajon transaksionet e mëdha me para të gatshme duke ndaluar riciklimin e bankënotave prej 500 euro”, thuhet në njoftim.
BQK thotë se vlerësimi i FMN-së gjithashtu pranon se sistemi bankar mbetet i shëndoshë, bankat janë mirë të kapitalizuara, mirë të provizionuara, me likuiditet të lartë dhe profitabilitet.
“Kreditë jo-performuese (NPL) kanë mbetur të ulëta, dhe rritja reale e kreditimit, veçanërisht në kreditimin e ekonomive familjare ka qenë adekuate”përfundon njoftimi.