Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur se ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin Kosovar për Logopedi.
Marrëveshja është nënshkruar nga Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari dhe Ardita Uka- Rexha, drejtoreshë e Institutit Kosovar për Logopedi.
Përmes kësaj Marrëveshje të bashkëpunimit, dy palët kanë rënë dakord për angazhim të logopedëve në Shërbimin Spitalor në Logopedi për fëmijët me vështirësi në komunikim.
Sipas QKUK-së qëllimi i kësaj marrëveshjeje është mbështetja e fëmijëve që kanë vështirësi në të nxënë, që do të realizohet përmes disa aktiviteteve të caktuara.
Përgjegjëse për të siguruar fondet për financimin e projektit, sipas marrëveshjes të lidhur mes dy palëve është Instituti Kosovar për Logopedi.
Kjo marrëveshje është nënshkruar për afat 1 vjeçar, me mundësi të rishikimit pas kësaj periudhe kohore, thuhet në fund të njoftimit nga QKUK.