Vetëm brenda 24 orëve, të premten e 29 janarit, Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të armëmbajtjeve pa leje të cilat i ka identifikuar në gjithë territorin e vendit tonë.
Megjithëse me Ligjin për Armët i cili është në fuqi në Republikën e Kosovës, bazuar në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, shumë shpesh ka raste të konfiskimi të armëve pa leje dhe përdorimit të tyre.
Njohësja e Sigurisë, Besa Kabashi–Ramaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se ligji sqaron shumë mirë se kush dhe çfarë lloje të armëve mund të barten nga persona fizik.
‘Ligji për armë (LIGJI Nr. 05/L -022 PËR ARMË), e brenda tij, sidomos kapitulli II, sqaron saktë edhe kush mund të mbajë çfarë lloj armësh, për çfarë qëllimi, dhe parasheh procedura strikte se si një person fizik apo juridik mund te aplikoj e të kualifikohet për të marrë leje për armë mbajtje, në mes tjerash duke përfshi edhe arsyen, llojin e armës, e pastaj trajnime, e teste shëndetësore, për të siguruar që personi është i afte psikologjikisht e fizikisht të mbajë armë, ka arsye ligjërisht valide, është i trajnuar, dhe nuk përbën rrezik publik”, shpjegoi Kabashi-Ramaj.
Rreziku i armëmbajtjeve pa leje, është sfidë për shumë vende, thotë Kabashi-Ramaj, teksa thekson se nuk është diçka që mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme.
“Sa i përket rrezikut nga armëmbajtja pa leje, kjo është një sfidë për shumë vende, dhe është sfide komplekse, e cila nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme, sikur qe pretendohet se mund te zgjidhet me aksione konfiskuese të policisë. Procedurat ekzistojnë, dhe ligji ndëshkon armëmbajtjen pa leje, prandaj në momentin që policia e RKS identifikon një person që mbanë armë pa leje, që do të thotë se personi në fjalë ka thyer ligjin, atëherë duhet kuptuar se përgjegjësia e policisë përfundon në momentin kur policia e dërgon rastin te prokurori, e pastaj mbetet te prokurori dhe gjykatësi që raste të tilla të i dënojnë aq ashpër sa ligji parasheh, duke dërguar mesazh të çartë te qytetarët se sa shkelje e rëndë është kjo”, tha ajo.
“Megjithatë, çështja e krimeve që bëhen çoftë me armë pa leje apo me leje është shumë më komplekse se sa çasja në armë. Ne si shoqëri nuk guxojmë të injorojmë faktorë të tjerë të rëndësishëm siç është shëndeti mendor dhe problemet serioze sociale e me siguri njerëzore. Këto shpeshherë janë kontribuues n 137 krimet e rënda, përveç qasjes ne armë”, thotë Kabashi-Ramaj.
Për blerjen e armëve dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen ka folur edhe përgjegjësi i shitores së armëve “Katana” në Ferizaj, Arben Ibrahimi i cili ka thënë se në shitoren e tyre nuk mund të furnizohet askush me armë, nëse nuk i plotëson kushtet që parashihen me ligj.
Brenda vitit 2020, në tri pikat e shitores “Katana”, mesatarisht janë shitur mbi 170 armë.
Ai u shpreh se kanë pasur raste kur qytetarët shkojnë dhe duan të blejnë armë, por se ata nuk kanë pranuar t’ua shesin pasi duhet të këtë lejen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të blerë armën, pasi t’i përfundojnë edhe trajnimet e nevojshme.
“Qytetarët e interesuar për të blerë armë, duket të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kryej trajnimin në ndonjërën nga kompanitë e licencuara për leje të armës, pastaj të paraqitet e të certifikohet në Ministri të Punëve të Brendshme, duhet edhe certifikata e mjekut, e gjykatës e policisë, po ashtu edhe gjendja sociale”, tha ai.
Ai tha se nëse një person është në rregull me ligjin dhe është mentalisht mirë, atëherë ato dokumente dorëzohen në MBP, e cila lejon blerjen e armës.
Në shitoren e tyre, ata shesin armë të shkurtra dhe të gjata, ndërkaq për armën e gjatë, ai u shpreh se dokumente shtesë për blerje të tyre duhet të ketë gjithashtu certifikatën e Shoqatës së Gjuetarëve.
Edhe personat të cilat duan të furnizohen me plumba, të cilët shiten në këtë shitore, duhet të kenë një leje speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Secili plumb që është me maje, duhet një leje, dhe me ligj për një person në vit mund të blerë vetëm 200 plumba. Ndërkaq për pjesën tjetër të municionit që përdoret për gjueti, duhet të ketë një certifikatë të gjuetarit”, tha Ibrahimi për Telegrafin.
Ai deklaroi se të gjitha armët dhe municioni që ata e shefin vijnë përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata janë të informuar saktë se sa ka armë në shitoren e tyre dhe çka shitet aty.
Ndryshe, ndryshe, brenda një periudhe të shkurtër kohore, opinioni është tronditur nga dy vrasje të rënda. Në dhjetor të vitit 2020, në fshatin Pozhoran të Vitisë, ka ndodhur një vrasje e katërfishtë, ku një person ka vrarë fillimisht bashkëshorten e tij, dy djemtë, dhe më pas vetën.
Vrasje e rëndë ka ndodhur edhe ditën e mërkurë në Prishtinë, ku babai dyshohet se ka vrarë djalin e tij.
Lidhur me numrin e qytetarëve që kanë leje për posedimin e armëve të zjarrit, Telegrafi ka dërguar disa pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Lexo po ashtu:
Dymbëdhjetë vrasje brenda familjeve në Kosovë gjatë vitit 2020 – kërkohet të merren masa parandaluese
Dymbëdhjetë vrasje brenda familjeve në Kosovë gjatë vitit 2020 – kërkohet të merren masa parandaluese
Vetëm gjatë vitit 2020, në Kosovë kanë ndodhur 12 vrasje në familje.
Policia e Kosovës në një përgjigje të dhënë për Telegrafin, ka bërë të ditur së më së shumti vrasje kanë ndodhur gjatë muajit korrik, ku janë raportuar tri raste të vrasjes.
“Janar (një vrasje), shkurt (dy vrasje), prill (një vrasje), maj (një vrasje), qershor (një vrasje), korrik (tri vrasje), gusht (një vrasje), tetor (një vrasje), dhjetor (dy vrasje)”, thuhet në përgjigjen e Policës së Kosovës.
E, gjithë kjo situatë po shihet shqetësuese nga psikoterapeuti, Yll Avdijaj.
Avdijaj në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se fenomeni i vrasjeve sot në Kosovë është një dukuri alarmante e sidomos kohëve të fundit, që ka filluar të shpeshtohet. /Telegrafi/