Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka deklaruar se korrupsioni në Qeverinë Kurti është i strukturuar.
Sipas Selmanajt se si asnjëherë më parë në histori edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përdorur një gjuhë shumë të rëndë.
“Së paku 7 vjetët e fundit provova me i gjet raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit kërkund nuk e kom pa që thotë korrupsion serioz në Qeveri në Kosovë, domethënë kjo gjuhë flet shumë edhe kjo është qysh në përmbledhjen ekzekutive si ta çelë raportin, faqja e parë paragrafi i parë thotë: Korrupsion serioz në Qeveri”, ka deklaruar Selmanaj në emisionin “Tempus” në KTV.
Por sipas tij, një raport i tillë ka qenë i pritshëm. Ka përmendur raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, si dhe raportimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
“Kur sinjalizuesi i brendshëm i shkruan edhe kryeministrit dy vjet përpara edhe në MTI edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, ata pësojnë të dy zyrtarët nuk po dua t’i përmend me emra janë të suspenduar prej punës, edhe zyrtari në MTI edh zyrtarja në Ministrinë e Infrastrukturës, pse se e kanë marrë guximin intelektual dhe patriot në këtë vend ta denocojnë një të keqe që po i ndodh brenda sistemit”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, sipas Selmanajt edhe pse të njëjtit i kanë shkruar e-mail personal Kurtit, ky i fundit i ka injoruar totalisht.
“Dhe çka në fakt nxjerr kjo, që korrupsioni është i strukturuar në këtë Qeveri”, është shprehur ai.