Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se standardi 50% plus 1 votues për shkaktim të kryetarit të komunës është arsyeja kryesore e bojkotit të procesit të votimit të kryetarëve në katër komunat në veri.
Sipas tij ky standard nuk do të mund të arrihej “jo vetëm në komunat e veriut, por se me pikëpyetje të madhe mund të arrihet në cilën do Komunë të Kosovës”.
“Pra arsyeja themelore të cilën e dimë të gjithë ose më e përafërta, është standardi 50%+1 e votuesve nga lista përfundimtarëve e votuesve, duhet të votojnë PRO largimit të kryetarit. Ky standard automatikisht e bënë të domosdoshëm dhe pjesëmarrjen mbi 50% të votuesve në zgjedhje, për të arritur legjitimitet dhe për tu konsideruar proces i suksesshëm. A është standard demokratik, po është. A është standard i pa arritshëm, po është”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij qytetarët e katër komunave në veri, duke e parë se ishin futur me një proces që mund të dilnin humbës dhe të legjitimonin kryetaret e komunave që “erdhën me nga 100 vota kryetar, vendosen të shmangin këtë legjitimitet të kryetarëve aktualë përmes pjesëmarrjes së tyre në votim”.
Për këtë arsye sipas tij ata e bojkotuan procesin e votimit.
/Koha.Net/