Zyrtarët e ASK-së kanë thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë po realizohet sipas planit dinamik. Në një konferencë për media, të hënën, ata kanë bërë të ditur se deri tash janë regjistruar më shumë se 200 mijë banorë rezidentë. Krahas tyre, për këto 10 ditë janë regjistruar edhe 50 mijë banorë jorezidentë.
Më shumë se 200 mijë banorë janë regjistruar prejse ka filluar procesi i regjistrimit në Kosovë, 10 ditë më parë. Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë një konference për media të hënën, kanë bërë të ditur se për këto ditë janë realizuar më shumë se 110 mijë intervista, ku 10 mijë prej tyre janë realizuar vetëm në Prishtinë.
Pos banorëve rezidentë, deri tash janë regjistruar edhe mbi 50 mijë banorë që jetojnë jashtë vendit.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka theksuar se regjistrimi po zhvillohet edhe në komunat veriore.
“Po, ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serb, nga Lista Serbe, ne kemi bërë përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje. Sot është një ekip tjetër. Këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serb, edhe nga komunat veriore. Kemi persona nga komuniteti serb që janë regjistruar vullnetarisht përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit, se jemi duke punuar dhe bashkëpunuar edhe me komunat, edhe me institucionet e tjera, presim”, ka thënë Avni Kastrati.
Megjithatë, Kastrati ka theksuar se ua kanë ndërprerë kontratat disa regjistruesve për shkak, siç ka thënë, tejkalimit të kompetencave, por pa treguar detajet.
“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë stafit që është në terren se këto janë kornizat që duhet me vazhdua procesi i regjistrimit të popullsisë. Secili që del jashtë këtyre kornizave sigurisht mund të penalizohet. Edhe unë nuk po hyj në detaje, domethënë është duke funksionua sistemi, regjistruesit janë në terren, planin dinamik që e kemi përditë është tejkaluar për disa ditë. Po besoj që prapë është në kornizat të maksimumit që e kemi parashikua. Pritjet janë që edhe në ditët në vijim të jetë një dinamikë e tillë. Janë duke marrë pjesë të gjitha komunitetet që janë në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, shefi i teknologjisë informative në ASK, Burim Limolli, ka thënë se regjistrimi po realizohet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe vendet e thella malore.
“Sa u përket aktiviteteve që nga dita e parë shihet që kemi një rritje progresive të intervistave të realizuara në terren, përveç datës 10 që kemi pasur një numër shumë të vogël të intervistave shkaku i Festës së Bajramit. Pastaj figura tjetër apo grafikoni tjetër paraqet dhe dokumenton statusin e intervistave në terren sa janë ardhë në qendër, sa janë aprovuar prej mbikëqyrësve, sa janë refuzua dhe gjithashtu statusi i kontrollit nga qendra i bëjmë përmes sistemit”, është shprehur Burim Limolli.
Ai ka theksuar se nga banorët jorezidentë prijnë ata në Gjermani me 43 për qind, të pasuar nga ata në Zvicër, Itali, Britani të Madhe e me radhë.
“Deri më tani kemi mbi 200 mijë rezidentë të regjistruar në Kosovë. Përveç asaj kemi edhe banorë të tjerë jorezidentë që janë jashtë shtetit. Edhe këtu kemi një pjesëmarrje mbi 50 mijë, edhe këtu tregon se diaspora është shumë e madhe”, ka thënë Limolli.
Ai ka treguar se gjatë këtyre ditëve i kanë identifikuar edhe 6 persona që e kanë tejkaluar një shekull jetë.
Regjistrimi i fundit në Kosovë është organizuar më 2011, por pa përfshirë katër komunat veriore. Atëkohë rezultuan mbi 1.7 milionë banorë./koha/