Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se drejtësia për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku duhet të jetë e pashmangshme, duke theksuar se duhet të ndodhë sa më parë “në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë”.
Pas vizitës në veri me kryeministrin Albin Kurti, Sveçla, ka shkruar në Facebook se duhet të ketë drejtësi edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Në vijim të vizitës në veriun e vendit tonë ishim edhe në Banjskë të Zveçanit, në vendin e rënies së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku. Drejtësia për vrasjen e tij dhe për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit është e pashmangshme dhe duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë. Takuam edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikë kontrollin në Bistricë, të cilët ofrojnë siguri për atë zonë”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka shkruar edhe për vrasjen e policit Enver Zymeri, duke kujtuar se sot do t’i mbushte 45 vjet. Ai ka thënë se në nderim të tij u zbulua pllaka përkujtimore në vendin e rënies.
“Nëse nuk do të vritej nga bandat kriminale në 26 korrikun e vitit 2011, pjesëtari i Policisë së Kosovës Enver Zymeri sot do të mbushte 45 vjeç. Si gjithë kolegët e tij në Policinë e Kosovës, jam i bindur se edhe ai me përkushtim do të ishte në nivelin më të lartë të detyrës. Në nderim të jetës dhe sakrificës së tij, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, me djalin e Enver Zymerit Sokolin, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, Ministrin Elbert Krasniqi dhe Zëvëndësdrejtorin e Policisë Fehmi Hoti, sot zbuluam pllakën përkujtimore në vendin e rënies së Hero Enver Zymerit, në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Emri tij nga sot është përjetësuar edhe në vendin e rënies së tij siç është përjetësuar në historinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme.
Sveçla ka shtuar se kanë vizituar edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe kanë diskutuar mbi angazhimet dhe mundësitë e bashkëpunimit.
“Si Qeveri do të vazhdojmë që me të gjitha kapacitetet tona të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Po punojmë pa u ndalur për mirëqenie të qytetarëve tanë, për shërbime efikase ndaj tyre, për sigurinë e tyre e për sigurinë e vendit tonë në çdo cep të tij”, është shprehur ai.