Nëse Kosova nuk nis zbatimin e marrëveshjes që ka të bëjë më formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë kjo tregon se vendi nuk është i përkushtuar ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, porositi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Duke folur para gazetarëve në konferencë për media, zëdhënësi i BE-së nënvizoi se formimi i Asociacionit të Komunave serbe është një kërkesë dhe obligim i kahershëm nga ana e Kosovës.
“Pra, duhet në të duhet të punohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë dhe në nivel të liderëve evropianë. Pra, nëse Kosova nuk arrin t’i realizojë këto, atëherë nuk do të shihet si një shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar në rrugën e normalizimit, e cila tani është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit në BE”, porositi zëdhënësi Stano.
Duke iu referuar takimit të 4 prillit, zëdhënësi Stano nënvizoi se i njëjti do të jetë i fokusuar në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e dinarit.
“Kjo lidhet më së shumti me çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe një javë më parë në Bruksel, përkatësisht kryesisht çështjen e implikimeve apo pasojave të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit”, tha Peter Stano.
Të enjten më 4 prill do të mbahet takimi në nivel të kryenegociatorëve, ku teme kyçe pritet të jetë gjetja e zgjidhjes për zbatimin e rregullores së BQK-së.
Është ky takimi i tretë brenda më pak se një muaji lidhur me këtë temë. Zyrtarët evropian shprehen optimistë se mund të gjendet zgjidhja gjatë takimit të 4 prillit.