Prokuroria Themelore në Prizren të premten më 29.03.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘ shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M. P., gjatë periudhës kohore, qershor – korrik të vitit 2021 në Prizren kishte angazhuar të miturën si “valltare” apo “shoqëruese e klientëve” në lokalin e tij e më pas me forcë të njëjtën e detyron të ofroj edhe shërbime seksuale edhe në banesën e tij, konkretisht edhe të pandehurit L. H., i pandehuri i dytë.“Në këtë mënyrë, i pandehuri M. P., ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz”, ndërsa, i pandehuri L. H., veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” nga neni 228 sipas KPRK-së”- thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
//Kallxo.com//