Ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka rikujtuar ngjarjet e datës 28 mars në vitin 1999.
Ai ka theksuar se pikërisht në këtë ditë shumë banorë të fshatrave të Vrrinit ishin të obliguar të largoheshin në drejtim të Shqipërisë.
Pikërisht pas largimit të banorëve në atë pjesë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte zhvilluar shumë aksione ndaj forcave serbe që u vendosën në fshatrat e Vrrinit.
Postimi i plotë:
PARA 25 VITESH MË 28 MARS 1999 (E DIEL) ISHTE FESTA E KURBAN BAJRAMIT!
…diku në mesin e natës së 27/28 marsit 1999, u këtheva nga Tusuzi në fsh. Billushë/Kushtrim dhe vë kontakte me ushtarët, me të cilët për katër a pesë ditë ishim jashtë lidhjeve, dhe aty përmes radios kuptuam se fshati Zhur dhe fshatrat e Grykës të Lumës kanë filluar të largohen drejt Shqipërisë.
Me 28.03.1999 shllunga tymi të zi shiheshin matan kodrave nga ishte fshati Zhur dhe Dobrushtë qe tregonte se këto fshatra tashmë ishin vën në zjarrin e forcave të okupatorit serb!
Erdha në përfundim se edhe për rajonin e Vërrinit po përgatitej një gjë e tillë. Kjo situatë me të vërtetë ishte e dhimbshme, sepse popullsia civile ishte në një ngarkesë të madhe morale e psikologjike nga ankthi i luftës dhe i masakrave që mund t’i bënin forcat e okupatorit serb mbi ta, dhe kështu më 28 mars 1999 edhe popullsia e fshatrave të Vërrinit, me urdhër të policis serbe, filloi të lëvizë dhunshëm në drejtim të Shqipërisë.
Këto ishin momente shumë të rënda ndoshta edhe më prekëse që kisha përjetuar deri në atë kohë. Dhe sa i kthehem t’i lexoj shënimet në ditarin e luftës, kur lexoj përjetimin e atyre ditëve, ndjehem shumë i prekur. Këto ditë janë ditët më të vështira që i kam përjetuar gjatë asaj periudhe.
Nga ditari i luftës: “28 mars 1999, po bie terri mbi Vërri, kolona të gjata me njerëz largohen në drejtim të Shqipërisë… Prapa atyre kolonave mbetën ulërima e qenve, blegërima e deleve, lopëve, kuajve, gomarëve, që pakontrollueshëm shëtisin rrugëve, oborreve, kopshteve e asnjë njeri nuk kishte mbetur për t’u dhënë drejtim atyre”…
Në Vërri përveç ushtarëve të UÇK-së dhe disa të rinjve që na u bashkëngjitën, çdo gjë mbeti si e shkretë, 5 pleqët e mbetur në Billushë, Hoq e Qytetit dhe Jeshkovë u ekzekutuan, ndëtsa ata në Poslishtë u torturuan dhe i larguan drejt qytetit!
Urdhëroj të kontrollohen të gjitha shtëpitë dhe të zgjidhen kafshët që ishin të lidhur nëpër stalla, që dikush kishte harruar t’i zgjidhte. Derisa unë po shkruaja, një qengj i vogël blegëronte afër meje shumë dhembshëm, që më ngjau në foshnjë që e kërkonte nënën e tij.
Pas largimit të popullatës, njësitet e UÇK-sê zhvilluan shumë aksione e beteja kundër forcave serbe të cilat u vendosë në Vërri, si kudo nëpër Kosovë, deri më 12 qershor 1999 ku përfundimishtë ju dha fund sundimit të egêr të okupatorit serb në tokat tona!
Falë luftës titanike të UÇK-së dhe atyre që u flijuan sot ne e gëzojm lirin!
P.S: Makina në foto është e forcave të ushtrisë serbe e cila u dogjë në luftimet e 7 prillit 1999 nga njisiti i UÇK-së, te shkolla e f.sh Billushë/Kushtrim.