Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar 9 qershorin si datë për zgjedhje të parakohshme.
Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për tenderët njëburimorë dhe u kërkua themelimi i komisionit hetimor lidhur me këtë çështje, janë përmendur edhe zgjedhjet.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se tashmë e kanë datën e zgjedhjeve, por se sipas tij, pushteti po u frikësohet.
“PDK tashmë e ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo është 9 qershor, por marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.
Diskutimi për zgjedhjet ka nisur pasi shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.
“Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.
Për zgjedhje ka folur edhe Driton Selmanaj i LDK-së. Ai ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.
“Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.