Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë Kurti se po manipulon me shifra.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka shkruar se LVV-ja dhe Albin Kurti “janë të bindur që qytetarët e Kosovës janë analfabetë funksionalë, përndryshe si mund të justifikohen manipulimet e tyre me shifra në këtë masë”.
Sipas saj, Qeveria ka thënë se raporti eksport-import kur e ka marrë mandatin ka qenë 1:9 dhe sot është 1:6, e që sipas saj, asnjëra nuk është e vërtetë, bazuar edhe në shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
“Asnjëra nuk është e vërtetë, sepse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 Kosova ka eksportuar 439 milionë euro dhe ka importuar 3,271 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import për 2020 është 1:7 derisa në vitin 2023 Kosova ka eksportuar 820 milionë euro dhe ka importuar 5,8 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import prapë është 1:7. Nëse flasim në terma nominale deficiti tregtar në vitin 2020 ka qenë 2.8 miliardë euro ndërsa në vitin 2023 ka qenë 5 miliardë euro, më i larti në historinë e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Ajo i ka sfiduar me përballje lidhur me shifrat e importit dhe eksportit.
“Mjaftë me manipulime, keni pak konsideratë për ata që gabuan e ju besuan me 14 shkurt të vitit 2021. Asnjëra nga pikat me poshtë nuk është e vërtetë dhe ju sfidoj për përballje për secilën pikë. P.s. Albin, a po të kujtohet që i premtoje do fabrika të keçapit nëpër oda?!”, ka shkruar tutje në Facebook, Bajrami.