Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian e euroatlantik dhe ka shtuar se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj. Në këtë funksion Hovenier ka thënë të mërkurën, gjatë ngjarjes për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të ish-Jugosllavi, se komuniteti ndërkombëtar pret bashkëpunimin e udhëheqjes aktuale në Kosovë për një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor.
Tek i ka kualifikuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon si premtime të rëndësishme që duhen përmbushur, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit, Hovenier ka theksuar se rruga e vetme për integrimin evropian të Kosovës kalon nëpërmjet dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“Nuk ka rrugë tjetër dhe konkretisht me mirëbesim dhe zbatimin e plotë të të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut. Ne presim që kjo Qeveri e Kosovës, ashtu siç kemi pritur nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojë në partneritet me ne, ndërsa vazhdojmë në përpjekjet tona së bashku për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Hovenier, teksa ka folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës (UP) dhe ai i Arkansasit të SHBA-së.
E tek e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët perëndimorë, sikurse në kohën e intervenimit të NATO-s më 1999, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia, si një satelit i Rusisë, është e përkushtuar që rajonin ta kthejë në vitet 90’.
“Serbia dhe aleatët e saj duan që të zhbëjnë çdo gjë që kemi arritur së bashku ndër vite. Në të menduarit e tyre, një sulm ndaj Kosovës nuk është vetëm një sulm ndaj një shteti fqinj, është një sulm kundër NATO-s, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër Mbretërisë së Bashkuar, kundër sukseseve tona të përbashkëta”, ka thënë Osmani.
Ajo ka bërë zotimin për ta vazhduar bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë në funksion të tejkalimit të vështirësive drejt ndërtimit të një të ardhmeje të sigurt. “Dhe të sigurojmë që idealet e lirisë dhe demokracisë, që një herë kanë udhëzuar rrugën tonë, të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën tonë përpara. Së bashku kemi demonstruar se bashkimi mund të tejkalojnë vështirësitë më të mëdha”.
Më 24 mars janë bërë 25 vjet që nga nisja e fushatës ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë së udhëhequr nga Slobodan Milosheviqi. Kjo fushatë, sipas ambasadorit Hovenier, ka shërbyer që të ndalet spastrimi etnik i shqiptarëve nga pushteti i Milosheviqit.
“Operacioni i Forcave Aleate hapi rrugën për përfundimin e armiqësive dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën shtëpi. Të gjitha përpjekjet tona ishin në mbështetje të vizionit tonë të përbashkët afatgjatë për një Evropë që është ‘e plotë, e lirë dhe në paqe’. Njëzet e pesë vjet më parë NATO-ja veproi për të avancuar atë vizion për Evropën; ne vazhdojmë të punojmë sot për ta arritur atë. Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë”, ka theksuar ai.
E gjenerali amerikan që i priu fushatës së bombardimeve, Wesley Clark, është shprehur krenar për atë që ka bërë në Kosovë, ndërsa për Kosovën ka thënë se ka ende edhe shumë punë për të bërë.
“Shpresoj të shohim më shumë investime direkte, më shumë lidhje me institucionet e edukimit të SHBA-së. Shpresoj të shoh më shumë partneritet mes qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kosovës. Ju jeni një shembull i ndritshëm i vlerave të demokracisë”, ka thënë ai nëpërmjet një videomesazhi.
E zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO e përbën rrugën më të sigurt për siguri, paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasur parasysh “qasjen destruktive dhe veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë”
“Historia e shtetndërtimit tonë dhe NATO-ja janë pjesë e padiskutueshme e rrëfimit të suksesshëm, si histori të pandashme nga njëra-tjetra, siç ishin dhe do të mbeten miqtë tanë ndërkombëtarë dhe përkrahja e tyre në rrugëtimin tonë drejt avancimit të progresit në vend”, ka thënë ajo.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s ka mundësuar kthimin nëpër shtëpi të më shumë se 800.000 shqiptarëve të Kosovës, të zhvendosur brenda e jashtë vendit. Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, NATO-ja e ka në Kosovë misionin e vet paqeruajtës, KFOR, me praninë e një numri shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sish.