Shpërndarja e pakove ushqimore, dhurimi i iftareve dhe rrobave janë disa nga aktivitetet që shoqata humanitare “Bereqeti” po realizon gjatë muajit të Ramazanit.
Kurtish Hoxhaj, koordinator i degës në Prizren në një intervistë për “Mirëmëngjesi Kosovë” ka thënë se këtë vit ka reduktim të numrit të familjeve me gjendje financiare të rënduar.
“Në Prizren e kemi ‘marketin social’, aty njerëzit dhurojnë materiale, mjete, artikuj ushqimor. Në disa qendra tregtare i kemi ‘shportat e bereqetit’, ku konsumatorët kanë mundësinë ta dhurojnë një artikull ushqimor dhe pas disa ditësh artikujt i dërgojmë në marketin tonë dhe familjet vijnë e furnizohen”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se aktiviteti i parë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit ka qenë ndihma ndaj veteranëve dhe invalidëve të luftës.
“Muajin e Ramazanit e kemi nisur që në ditën e parë me Shoqatën e Veteranëve në Prizren, në shenjë nderi dhe respekti për kontributin e tyre për çlirimin e vendit, por edhe duke pasur parasysh pagën e tyre minimale, 170 euro, që është e papërballueshme për ekonomi familjare”, ka thënë Hoxhaj për RTK-në./RTK/