Përfaqësues të partisë kryesore në pushtet dhe të subjekteve politike në opozitë janë bashkuar në qëndrimin që Rregullorja e BQK-së që ndalon dinarin serb nuk duhet të jetë çështje diskutimi e nivelit politik në Bruksel. Megjithëkëtë, është shprehur nevoja për koordinim me ndërkombëtarët, por në Prishtinë e jo diku tjetër.
Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit ka krijuar konsensus në mes të partisë në pushtet dhe subjekteve politike në opozitë.
Përfaqësues të të dy taborëve ndajnë qëndrimin e njëjtë që Rregullorja e Bankës Qendrore nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve politike që zhvillohen në Bruksel.
Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se diskutimet politike për valutën zyrtare në Kosovë kanë përfunduar me miratimin e Kushtetutës, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë./koha.net/