Tuma ilire në Shpinadi të Prizrenit e ajo në Gjinoc të Suharekës, vendbanimi shumështresor në Topanicë të Kamenicës dhe ai parahistorik i Hisarit të Suharekës, janë katër lokalitetet arkeologjike të radhës të cilat shteti i mbron përhershëm. Bashkë me shtatë monumente arkitekturore çojnë në 11 numrin e atyre që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore i ka miratuar për t’i futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përhershme.
Muzeu Arkeologjik dhe Sahat Kulla, Shtëpia e Familjes Pomaku, Kroi i Beledijes, Shtëpia e Adem Agë Gjonit, Shtëpia e Zekerija Sokolit, Ndërtesa e Kuvendit të Vjetër Beledije dhe Kompleksi i Sarajit të Vjetër, të gjitha në Prizren, bëjnë pjesë në listën e monumenteve që në muajin kur Kosova ka festuar përvjetorin e Pavarësisë janë futur nën mbrojte të përhershme si vlerë e trashëgimisë kulturore të vendit.
“Aktualisht, statusin e Mbrojtjes së Përhershme të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Kosovës e gëzojnë 83 asete të kategorisë arkitekturale, arkeologjike dhe disa peizazhe kulturore”, ka njoftuar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Në nëntor të vitit të kaluar KKTK-ja kishte miratuar edhe numër prej 13 monumentesh për t’u bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojte të Përhershme. Midis tyre edhe Shtëpinë e Xhafer Devës të riemëruar si “Ambulanta e Vjetër”.
Asokohe, Zanita Halimi, kryetare e KKTK-së, kishte thënë se me mbrojtje të përhershme sigurohet mbrojtja ligjore, kurse ajo çfarë duhet bërë është që asetet të jenë prioritet sa u përket investimeve dhe promovimit.
“Me raportin e vlerësimit të aseteve të shpallura nën mbrojtje të përhershme në vitin 2016 kemi dhënë rekomandimet që duhet të jenë prioritet asetet e shpallura nën mbrojte të përhershme si në investime ashtu edhe në plane të menaxhimit e në promovim. Ka përmirësime në këtë drejtim, por duhet ende punë”, kishte thënë Halimi.
Kosova ka Listën e Trashëgimisë nën Mbrojtje të Përkohshme dhe atë të Përhershme. Sipas ligjit, mbrojtja e përkohshme është një lloj preventive dhe brenda një viti monumenti duhet të vlerësohet nëse i plotëson kushtet për të gëzuar mbrojtje të përhershme. Por prej vitit 2012, kur është miratuar Lista e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme shteti nuk ia ka dalë të kryejë obligimin ligjor të afatit që përcakton ligji. Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, asetet e trashëgimisë kulturore të propozuara për mbrojtje të përhershme duhet t’i paraqiten Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për rishikim, adaptim ose refuzim. Pas këtij procesi përcaktohet që vendimet e këtij institucioni të miratohen nga ministri i Kulturës.
“Vendimi për përfshirjen e objekteve nё Listën e Trashëgimisё Kulturore nёn mbrojtje tё përhershme tё përcaktuar nga Këshilli i Kosovës pёr Trashëgimi Kulturore nënshkruhet nga ministri, me ç’rast hyn nё fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me kёtë ligj. Lista e trashëgimisë kulturore do tё jetë e hapur për publikun”, përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji.
Në gusht të vitit të kaluar kur shteti kishte listuar edhe 13 asete të tjera nën mbrojtje të përhershme, Sali Shoshi, udhëheqës i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, kishte thënë se nuk mjafton shpallja nën mbrojtje të përhershme.
“Përkundrazi, ky është hapi i parë ku mandej shteti duhet të tregojë kujdes ndaj diçkaje që e quan vlerë nacionale. Kur e bën diçka vlerë nacionale duhet të ketë masa si mirëmbajtje e promovim”, kishte thënë Shoshi. Sipas tij, përfshirja në Listën e Trashëgimisë Kulturore Nën Mbrojtje të Përhershme pa këto masa nuk ka ndonjë efekt te monumenti. “E para, nuk e promovon dhe njerëzit nuk e dinë se ku është e çfarë ofron, pastaj kur mungon mirëmbajtja monumenti i humb vlerat. Duhet të lëvizet nga ana formale e listave në diçka konkrete”, kishte thënë Shoshi. Sipas tij, aseti që gëzon mbrojtje të përhershme duhet të gëzojë profitet e diçkaje që është vlerë nacionale dhe kjo duhet bërë me strategji e me plane të menaxhimit veç e veç.
“Plani i menaxhimit ka për synim kthimin e një aseti në vlerë shoqërore si aset shoqëror e ekonomik, pa ia prekur vlerat për të cilat është në listë. Pra, nuk mjafton futja në Listë pa veprimet e tjera që sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumentit”, kishte thënë Shoshi. Kishte treguar se në terren nuk vërehen dallime midis një aseti që është nën mbrojtje dhe një tjetri që ka potencial për të qenë nën mbrojtje.
“Këto veprime nuk garantojnë kthimin e asetit në resurs publik”, kishte thënë ai.
Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Nën Mbrojtje të Përhershme, deri vitin 2022 shteti nuk kishte arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia jepte këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahej përcaktimeve ligjore që dalin pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është parku arkeologjik “Ulpiana”. Tek në tetorin e vjetëm është miratuar Plani i Menaxhimit për lokalitetin më të vizituar të trashëgimisë kulturore në Kosovë që nuk posedon staf të përhershëm e ndodh që mbetet me muaj pa rojtar. E për ciceron e kushte të tjera deri më tash as që bëhet fjalë. Në fund të 2016-s atij një pjesë i ishte shpallur edhe Park Arkeologjik.
Sa i përket mbrojtjes së përhershme, deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’ia propozonte monumente për mbrojtje të përhershme. Për tre vjet ky këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.
Në tetor të vitit të kaluar – siç ndodh rëndom – qe përtërirë Lista e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme që kishte 1683 asete, përfshirë ato të luajtshme dhe ato shpirtërore. Më 11 që do të kalojnë në Listën e Përhershme mbesin 1669. Te Lista e Përkohshme sivjet janë shtuar edhe Guri i Nënës Pashke dhe lokali “Panda” në Pejë./koha.net/